Aktualitet

A do arrestohet Salillari? Pas Lulzimit për ndërtimet pa leje oligarku tenton t’i faturojë burgun Bledar Starovës për aferat e tij me tendera

Në fillim të janarit 2026, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO, një skuadër e BKH-së ka ushtruar kontrolle dhe ka bastisur zyrat e ish faturinos së kthyer në oligark, Pëllumb Salillari, pjesë e dosjes së SPAK për ish zv/kryeministren Belinda Balluku. Bastisjet në zyrat e ‘bimbashit’ të korrupsionit Pëllumb Salillari janë kryer në kuadër të procedimit nr. 136 të vitit 2025, për dyshime mbi abuzimin e fondeve publike në projektet e infrastrukturës rrugore.

Sipas burimeve, gjatë bastisjes që ka zgjatur disa orë, agjentët e BKH-së i kanë sekuestruar Salillarit të paktën 15 telefona dhe laptopë, në të cilët besohet se ka materiale me vlerë për hetimet. Prej disa javësh, disa hetues të BKH-së po shqyrtojnë provat e mbledhura gjatë operacionit masiv në zyrat dhe vilat e oligakurt Salillari, një prej përfituesve më të mëdhenj të fondeve dhe pasurive publike, etalon i pastrimit të parave, mashtrimit me kontrata publike, dokumenteve false, evazionit fiskal dhe skemave korruptive.

Fakte, evidenca, raporte dhe përgjime e vizatojnë Salillarin jo vetëm si një ‘pëllumb’ korrupsioni dhe pastrimi parash, por edhe si ‘pëllumb’ i ndërtimeve pa leje, i krimeve të pariparueshme mjedisore, i shkatërrimit të lumenjve, kodrave, maleve dhe zonave të mbrojtura, i blerjes me para korrupsioni i funksionarëve të qeverisë, kryebashkiakëve, segmenteve të gjyqësorit dhe segmenteve në Policinë e Shtetit. Si i tillë arrestimi i Pëllumb Sallillarit mbetet për SPAK një sfidë në luftën për shembjen e kulturës së pandëshkueshmërisë në Shqipëri.

170 milionë euro para publike në 5 vite

Pëllumb Salillari është përfitues i qindra milionë euro (para publike) përmes tenderave të paracaktuar me pazar në tavolinë, me oferta fituese sa fondi limit dhe duke mashtruar me zbatimin e kontratave publike, përmes deformimit të projekteve dhe situacioneve false, siç del edhe në dosjen e SPAK-ut. Vetëm gjatë 5 viteve të fundit në llogarinë e kompanisë Salillari kanë kaluar mbi 170 milionë euro nga buxheti i shtetit.

Ndërkaq, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar në shumë raste që Salillari, në bashkëpunim me supervizoren e tij Entela Çano, kanë mashtruar me zbatimin e kontratave për ndërtimin e veprave publike, me punime të pakryera, situacione false dhe deformim të projekteve me qëllim fitimi. Paratë e vjedhura dyshohet se i ka ndarë me zyrtarët e korruptuar, duke i pastruar në pasuri të paluajtshme, përfshirë edhe ndërtime pa leje.

Skemë korrupsioni me Entela Çanon

Konsiderohet si ‘noterja’ e oligarkëve për zhvatjen e parave publike përmes mashtrimit me kontratat publike për ndërtim rrugësh, ujësjellësash, rikostruksion ndërtesash dhe punë të tjera publike, përmes devijimit të projekteve, situacioneve false për punë të pakryera dhe marifete të tjera, që të gjitha në funksion të maksimalizimit të përvetësimit të parave publike.

Ajo është supervizorja e famshme Entela Çano, ylli i Çuçkës së Kolonjës, e cila me kompaninë e saj A & E ENGINEERING shkpk ka bërë kërdinë në buxhetin e shtetit, kompani e cila ka funksionuar si paketë me oligarkët, halldupët e tenderave publikë.

Jo rastësisht, Entela Çano, administratore dhe pronare e kompanisë supervizuese A & E ENGINEERING sh.p.k., rezulton nga hetimet e SPAK-ut në rolin e ‘tutores’ së kryebashkiakut të Kolonjës, Erion Isai, i njohur si Çuçka e Kolonjës, në aferat korruptive me tenderat publikë. Si ‘fillestar’ në operacionet e vjedhjes së parave publike, Çuçkës së Kolonjës i ofruan ‘ustalleshën’ Entela Çanon, për kopsitjen e praktikave korruptive në Bashkinë e Kolonjës.

Si një zanatçije e vjetër e zhvatjes së fondeve publike, Entela Çano vepron me shpejtësi, ndërsa në komunikime tregohet e rezervuar, e matur dhe fjalëpakë, ndërsa Çuçka i nxituar dhe i paduruar, ku shprehet ‘jepi shefe’, ‘zjarr shefe’, ‘je yll’, ‘vulose tani’ etj.

Entela Çano është ‘çelësi’ i vjedhjes me tendera i oligarkut Pëllumb Salillari, një prej hajnave më të frikshëm në historinë e pluralizmit shqiptar, me një avantazh të dukshëm në raport me ‘ujqërit’ e tjerë të tenderave, pasi Salillari ka investuar miliona euro nga paratë e vjedhura, duke rekrutuar drejtues policie, gjyqtarë, prokurorë, hetues të BKH-së, madje edhe një prokuror të SPAK-ut.

Entela Çano është paketë me Salillarin, kur ky i fundit përfiton një tender publik. Nëse Salillari fiton një tender si zakonisht me pazar në tavolinë, mbikëqyrësja e punimeve duhet të jetë Entela Çano me kompaninë e saj të mashtrimit. Entela Çano është dora e Salillarit për certifikimin e punimeve të pakryera dhe deformimin e projekteve, me qëllim vjedhjen dhe ndarjen e parave publike.

Ndërtime pa leje

Pas puthjes që i dha Edi Rama në ballë, oligarku Pëllumb Salillari nisi të ndërtonte kate pa leje në të gjitha zonat e Tiranës. Këshilli Kombëtar i Territorit në shtator 2022 vendosi që Salillarit t’i sekuestrohej një objekt me sipërfaqe rreth 20 mijë metër katror dhe me një vlerë afro 12 milionë euro. Pallatin e kishte ndërtuar pa leje pranë Kopshtit Zoologjik në Tiranë.

Por, ky vendim e humbi fuqinë rrugës, pasi Salillari ka rekrutuar një ushtri me gjyqtarë, prokurorë dhe policë. Oligarku arriti t’i merrte ndërtimet pa leje, ndërsa qeveria mbylli njërin sy. Prokuroria e Tiranë hapi një proces penal për ndërtim pa leje. Por, Salillari kishte menduar edhe për këtë. Si administrator të kompanisë kishte vendosur vëllanë e tij, Lulzim Salillarin, qëllimisht për t’a përdorur në rast dënimi.

Për t’i futur duart në punët e pista, Salillari kishte caktuar si administrator të kompanisë vëllanë e tij, Lulzim Salillari, ndërsa fitimet e punëve të pista i merrte vetë ish faturinoja i autobusit të Beratit, i kthyer në olirgark. Pas dy vite hetime, Prokuroria e Tiranës mori të pandehur ish-administratorin e shoqërisë ‘Salillari’, Lulzim Salillari, të cilin Pëllumb Salillarin e zëvëndësoi Bledar Starovën, si kurbanin e radhës. Lulzimi i shpëtoi burgut për shkak të moshës.

(Bledar Starova dhe Lulzim Salillari)

Atë që bëri me vëllain, Salillari tenton të bëjë tashmë Bledar Starovën, të cilin kërkon t’a hedhë në gojën e SPAK për të shpëtuar veten e tij si koka e aferave me tendera, korrupsion, pastrim parash, ndërtime pa leje, krime mjedisore etj. Mbetet për t’u parë nëse Starova do pranojë të bëjë burg për Salillarin dhe nëse SPAK do fokusohet tek maska apo fytyra reale e korrupsionit dhe pastrimjt të parave.

Park fotovoltaik në emrin e gruas dhe kunatit

Qeveria ka miratuar ndërtimin e një centrali gjenerues fotovoltaik në zonën e Levanit, Fier, nga shoqëria “Albania Solar Power” sh.p.k., me afat operimi 49 vjet dhe kapacitet 82 MW, një projekt që kërkon investime në vlerën e dhjetëra milionë eurove.

Shoqëria “Albania Solar Power” është regjistruar vetëm 16 muaj më parë, me një kapital themeltar prej vetëm 100.000 lekësh, ka administrator dhe pronar shtetasin Engjëll Agalliu nga Tërpani i Beratit, kunatin e oligarkut Pëllumb Salillari dhe nuk ka asnjë bilanc financiar të publikuar në QKB.

Në këto kushte, lind pyetja: si do të realizojë kjo kompani një investim që kap shifra rreth 35 milionë euro?

Sipas të dhënave, Engjëll Agalliu ka profesion mekanik për makineri industriale dhe këtë detyrë e ka ushtruar më herët në kompaninë “Salillari sh.p.k.” të biznesmenit të njohur Pëllumb Salillari. Në të njëjtën kompani kanë qenë të punësuar edhe vëllai i tij më i vogël si dhe babai i tyre, Hektor Agalliu, me profesion magazinier.

Në terren, punimet për ndërtimin e centralit fotovoltaik nuk po i kryen “Albania Solar Power”, por kompania “Bervi Construction” sh.p.k., në administrim dhe pronësi të Afërdita Salillarit, bashkëshortja e Pëllumb Salillarit. Kjo kompani ka qenë deri më 10 tetor 2011 në pronësi të vetë Salillarit, me emërtimet “Salillari Construction” dhe “BERVI-1”.

Kjo skemë hedh dyshime të forta se financuesi dhe pronari faktik i centralit është vetë Pëllumb Salillari, i cili dyshohet se fshihet pas emrave të bashkëshortes dhe kunatit për të maskuar pronësinë reale të investimit.

Investimi po kryhet në rreth 40 hektarë toka bujqësore në fshatin Boçovë të Fierit, të cilat u përkasin fermerëve vendas dhe janë përfituar prej tyre sipas Ligjit 7501, duke i pasur në zotërim për mbi 33 vite.

Koncensioni 60 milionë euro për Portin e Vlorës në emër të punonjësit pensionist të Salillarit

Në Shqipëri skandalet kanë nisur t’a humbasin kuptimin si të tilla. Hektor Agalliu, pensionist nga Tërpani, punëtor i Pëllumb Salillarit, ka përfituar koncensionin për ndërtimin e Portit Tregtar të Vlorës, një projekt rreth 60 milionë euro. Koncensioni korruptiv ka kaluar qëllimisht në emrin e punonjësit të Salillarit, me qëllim që ky i fundit, kur të ngushohet laku i drejtësisë, t’i shpëtojë burgut.

Më 10 gusht të vitit 2021, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shpalli koncesionin “Për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e Portit të Integruar në Triport Vlorë”. Kompanitë që morën pjesë në këtë tender ishin tre (doc), por fituese u shpall oferta e bashkimit të këtyre 5 subjekteve: Agbes Construction, që zotëronte 33% të aksioneve; Besta 30%; Arconstudio 25%; ITE Group 8% dhe Premium Construction & Maintenance 5%.

Në shtator të vitit 2022, Agbes Construction, e cila ishte aksionerja më e madhe e koncesionit, i shiti kuotat e saj për 100 mijë euro te shoqëria Premium Construction & Maintenance. Një muaj më pas largohet edhe një tjetër aksioner. Arconstudio i shiti 25% të aksioneve të tij për 2 500 euro. Blerësi ishte sërish Premium Construction & Maintenance. Pak kohë më vonë largohet edhe një aksioner tjetër, Besta, e cila i shiti 30% të aksioneve të saj për vetëm 3 mijë euro.

Premium Construction & Maintenance, e cila me 3 blerjet u bë pronare e 92% të aksioneve, për një çmim total prej 105 mijë euro.

Sipas dokumenteve zyrtare, pronar Premium Construction & Maintenance rezulton të jetë Hektor Agalliu, me origjinë nga Terpani i Beratit, i cili është njëkohësisht edhe punëtor i thjeshtë në firmën Salillari. Pra, rrjedhimisht del se bëhet fjalë për një njeri pa eksperiencë në ndërtim, pa staf, pa mjete, pa histori biznesi, por mesa duket me diçka që në Shqipëri vlen më shumë se gjithçka tjetër: lidhjet e duhura./Prapaskena