Aktualitet

Balluku rekurs në Gjykatën e Lartë, kërkon heqjen e masës së pezullimit nga detyra

Ish-zv.kryeministrja dhe ish-ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, i është drejtuar me rekurs Gjykatës së Lartë duke kërkuar heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të vendosur ndaj saj në nëntor 2025 me kërkesë të SPAK dhe të miratuar nga GJKKO. Rekursi u depozitua sot dhe pritet që Gjykata e Lartë të vendosë nëse do të ndryshojë ose jo masën e sigurisë që e largoi Ballukun nga funksionet shtetërore. Pezullimi ndaj saj ishte lënë në fuqi edhe nga dy shkallët e tjera të gjyqësorit.

Në tetor 2025, Balluku u mor zyrtarisht e pandehur për akuzën e “shkeljes së barazisë në tendera” lidhur me procedurat për Tunelin e Llogarasë, një projekt me vlerë disa dhjetëra milionë euro. Një muaj më pas, SPAK zgjeroi hetimet edhe për 7 lotet e Unazës së Madhe, ku ish-numri dy i qeverisë u mor person nën hetim për dyshime mbi procedurat e prokurimit publik. Në të njëjtën periudhë, GJKKO caktoi ndaj saj masën e pezullimit nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës.

Edhe pse masa e pezullimit vijon të jetë në fuqi, kryeministri Edi Rama e shkarkoi Ballukun nga posti në shkurt 2026, përpara se Gjykata Kushtetuese të zbardhte vendimin që konfirmoi pezullimin. Ndërkohë, Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi edhe masën e ndalimit të daljes jashtë shtetit për Ballukun. Përveç hetimeve për Tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe, ish-ministrja dyshohet edhe për shkelje në 3 tenderë të tjerë publikë që janë pjesë e verifikimeve të SPAK.