Ademi dhe Pacolli sherr për Aeroportin e Vlorës, tensione në kantier
Tensione dhe përplasje janë regjistruar këtë të hënë në kantierin e punimeve të Aeroportit të Vlorës mes firmës së Valon Ademit dhe asaj të biznesmenit Behgjet Pacolli.
Sipas burimeve nga vendngjarja, situata është tensionuar pasi njëra palë nuk ka lejuar hyrjen e punëtorëve në ambientet e kantierit, duke sjellë debate dhe kundërshtime mes përfaqësuesve të kompanive.
Mësohet se pala tjetër ka reaguar duke kundërshtuar daljen e punëtorëve që ndodheshin brenda zonës së punimeve, çka ka rritur më tej tensionin në kantier. Punonjësit dhe drejtuesit e firmave janë përfshirë në diskutime të ashpra, ndërsa situata ka krijuar shqetësim edhe për vijimin normal të punimeve në projektin e aeroportit.
Në vendngjarje kanë mbërritur forca të Policisë së Shtetit dhe efektivë të Policisë së Vlorës, të cilët kanë ndërhyrë për të qetësuar situatën dhe për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit. Deri tani nuk raportohen persona të lënduar, ndërsa pritet një reagim zyrtar për të sqaruar shkaqet e përplasjes mes dy firmave që operojnë në kantierin e Aeroportit të Vlorës./Joq.

