Aktualitet

‘Për gjuhën tonë’, studentët shqiptarë nisin protestën në Shkup

Ka nisur pasditen e kësaj të hëne në Shkup protesta e studentëve shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, ku qindra të rinj nga Maqedonia e Veriut, Kosova, Shqipëria dhe vise të tjera shqiptare janë mbledhur para Urës së Gurit për të kërkuar mbajtjen e provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Nën moton “Bashkohuni me Studentët, Të gjithë Një”, protesta po zhvillohet si shprehje e pakënaqësisë ndaj mos përmbushjes së kërkesës së studentëve shqiptarë për respektimin e ligjit për gjuhët dhe përdorimin e shqipes në proceset profesionale e institucionale.

Me pankarta dhe thirrje në mbrojtje të të drejtave gjuhësore, protestuesit kanë theksuar edhe më herët se mbajtja e provimit të jurisprudencës vetëm në gjuhën maqedonase krijon pabarazi për kandidatët shqiptarë dhe vështirëson përfshirjen e tyre në profesione të rëndësishme si avokat, gjyqtar dhe prokuror.

Kjo protestë vjen pas reagimeve të vazhdueshme të studentëve shqiptarë, të cilët edhe në fillim të prillit protestuan për të njëjtën çështje, duke kërkuar trajtim të barabartë dhe zbatim të plotë të statusit zyrtar të gjuhës shqipe në Maqedoninë e Veriut.