Politikë

A do takohet Rama me kancelarin gjerman Merz? Berlini nuk e konfirmon

A do të ketë një takim mes kryeministrit Rama dhe Kancelarit gjerman Merz në Tivat të Malit të Zi me 5 qershor në BE-Ballkani Perëndimor? Dhe gjatë këtij takimi a do të diskutohet për integrimin dhe qëndrimin e Gjermanisë për sa i përket Shqipërisë?

A2 CNN pyeti qeverinë gjermane dhe nëpërmjet një zëdhënësi të saj takimi nuk u konfirmua, por as nuk u mohua. Në përgjigje shkruhej se agjenda e kancelarit bëhet publike një javë para.

“Ju lutem kini parasysh që ne, përgjithësisht e shpallim kalendarin e kancelarit një javë më parë, gjatë konferencës së qeverisë”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane

Ndërsa për qëndrimin e Gjermanisë për integrimin e Shqipërisë, qeveria federale nëpërmjet zëdhënësit të saj shkruan se Gjermania është fuqimisht e angazhuar ndaj procesit të zgjerimit, gjë që vlen si për Shqipërinë ashtu edhe për vendet e tjera të Ballkanit Perendimor

“Përgjithësisht, Gjermania është fort e përkushtuar për zgjerimin, çka, sigurisht vlen edhe për Shqipërinë, si dhe për shtetet e terja të Ballkanit Perëndimor.

Ne duam që ata t’i bashkohen Bashkimit Europian bazuar në merita dhe kriteret e Kopenhagenit.

Tema e zgjerimit është duke u diskutuar mes shteteve anëtarëve të BE dhe mund të jetë në agjendë në Samitin për Ballkanin Perëndimor që do të zhvillohet së shpejti”, tha zëdhënësi i qeverisë gjermane.