Politikë

Kryesia e PD-së miraton statutin, shtyhet lista për Këshillin Kombëtar

Kryesia e Partia Demokratike ka miratuar statutin e ri të partisë, i cili kaloi unanimisht pavarësisht diskutimeve dhe debateve të zhvilluara gjatë mbledhjes.

Ndërkohë, edhe lista për Këshillin Kombëtar është miratuar, por ajo pritet të pësojë disa ndryshime të vogla përpara publikimit zyrtar.

Sakaq, Sali Berisha e pati cilësuar këtë mbledhje si “një mbledhje me vendime shumë të rëndësishme”.

Kjo sepse sipas tij, mbledhja e sotme do të miratojë ndryshimet statutore, listat e propozimet për Këshillin Kombëtar, si dhe do të miratojë grupin që do të drejtojë Kuvendin.

“Ne finalizojmë me Kuvendin tonë Kombëtar procesin e zgjedhjeve në Partinë Demokratike dhe sanksionojmë bazat për një transformim të vërtetë të Partisë Demokratike”, tha Berisha.

“Transformim i cili parakupton apo nënkupton ripërtëritjen e forcës tonë politike. Nënkupton organizim, organizim, organizim për këtë forcë. Nënkupton modernizimin e saj. Dhe e fundit dhe më e rëndësishmja, nënkupton përpunimin e vizionit të kësaj partie në këto shtylla. PD do të arrijë atë transformim të domosdoshëm për të përmbushur një mision historik të saj, dhe misioni historik i PD është rikthimi i votës së lirë të qytetarëve shqiptarë dhe rikthimi i PD në pushtet.

Në të gjithë këtë përpjekje, ne synojmë të angazhojmë, të mobilizojmë çdo potencial për përmbushjen e misionit tonë të vështirë.”, tha më tej Berisha, duke shtuar se në këto përpjekje ka si mbështetje konsultën me anëtarësinë.

Mes të tjerash, Berisha theksoi se kjo ripërtëritje nënkupton anëtarësime të reja.

“PD, në rrafshin organizativ, do jetë partia e seksionit. Ne jemi parti e territorit, pra ne jemi parti e seksionit. Dhe, përparësi absolute në piramidën e saj merr themeli, i cili është seksioni. Ripërtëritja nënkupton anëtarësime të reja. Nënkupton zhdukjen e çdo barriere që pengon anëtarësimet e reja.

Nënkupton hapjen e dyerve në nivel seksioni dhe në të gjitha nivelet për prurje të reja, angazhime të reja. Ju garantoj se janë me mijëra e mijëra demokrate e demokratë që të gatshëm të anëtarësohen dhe të marrin përgjegjësi, por që nuk u ofrohet kjo mundësi. Nuk u ofrohet ky mjedis.

Nuk u ofrohet sepse, e kam theksuar dhe e theksoj, sëmundja e opozitarizmit është inercia, është apatia. Dhe kjo sëmundje bën që të tregohemi indiferentë ndaj këtij procesi që është jetik për PD-në.

PD sot më shumë se kurrë ka nevojë për eficencë. Eficencën e çdonjërit prej drejtuesve, prej anëtarëve të saj. Ka nevojë për treguesit e matjes së kësaj eficencë në mënyrë që potencialet e saj të shfrytëzohen në shkallë maksimale”, deklaroi më tej lideri demokrat.

Ai theksoi dhe sa e rëndësishme është të shfrytëzohet çdo potencial që ofron digjitalizimi dhe “urtësia artificiale në mënyrë që ne të mund të shumëfishojmë fuqinë tonë, aftësitë tona”.

Berisha tha se demokratët kanë fatin e madh dhe privilegjin e veçantë që programin e kësaj partie ta konsultojë, ta shqyrtojmë dhe rishqyrtojmë me think-tanket më të mira që ekzistojnë sot në Europë dhe në SHBA.