Aktualitet

Greqia dënon dhunën në protestën e Zvërnecit: U plagos një shtetas grek!

Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë ka reaguar pas incidenteve të regjistruara gjatë protestës së zhvilluar në Zvërnec kundër projektit për ndërtimin e një resorti turistik në zonë.

Në deklaratën e saj, ministria greke shprehet se mes personave të plagosur ndodhet edhe një shtetas grek.“Ministria e Punëve të Jashtme shpreh shqetësimin e saj të fortë për incidentet e ndodhura më 30 maj 2026 në Zvërnec të Shqipërisë, gjatë protestës së banorëve për të drejtat e tyre pronësore, mes të cilëve ndodhej edhe një shtetas grek që mbeti i plagosur”, thuhet në reagimin zyrtar.Sipas njoftimit, Ambasada e Greqisë në Tiranë ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për t’i ofruar shtetasit grek asistencë konsullore dhe mjekësore.

Ministria greke bën të ditur gjithashtu se ambasada po kryen ndërhyrjet e nevojshme pranë autoriteteve shqiptare, duke kërkuar zbardhjen e plotë të incidentit dhe vënien para përgjegjësisë të personave përgjegjës.Po ashtu, Ministria e Jashtme e Greqisë vendos theksin te mbrojtja e të drejtave dhe pronave të anëtarëve të Minoritetit Kombëtar Grek në Shqipëri.