Aktualitet

Sot provimi i parë i Maturës Shtetërore, nxënësit testohen në gjuhën e huaj

Këtë të martë, më 2 qershor, nis zyrtarisht Matura Shtetërore 2026 me provimin e parë, atë të gjuhës së huaj. Mijëra maturantë në të gjithë vendin do t’i nënshtrohen testimit të njohurive, duke shënuar fillimin e një prej proceseve më të rëndësishme të arsimit parauniversitar. Sipas kalendarit të publikuar, nxënësit duhet të paraqiten në shkolla në orën 08:30, ndërsa provimi do të zhvillohet nga ora 10:00 deri në 12:30.

Ministria e Arsimit ka bërë të ditura rregullat që duhet të respektohen gjatë zhvillimit të provimeve. Ndalohet rreptësisht mbajtja e telefonave celularë, orëve inteligjente dhe çdo pajisjeje tjetër që mund të përdoret për komunikim elektronik ose që lidhet me inteligjencën artificiale. Gjithashtu, nuk lejohen kopjet, materialet e paautorizuara dhe komunikimi mes nxënësve gjatë testimit.

Autoritetet paralajmërojnë se çdo shkelje e rregullores mund të sjellë përjashtimin e menjëhershëm nga provimi. Ndërkohë, maturantët duhet të kenë me vete një dokument identifikimi të vlefshëm, si letërnjoftim ose pasaportë, si dhe mjetet e nevojshme shkollore për zhvillimin normal të testit.