Grupi kriminal i Jetmir Pepës, ish-gruaja Mariela Berisha thirret në SPAK!
Mariela Berisha është paraqitur këtë të martë, më 2 qershor, në ambientet e SPAK, si pjesë e personave të thirrur në kuadër të hetimeve për procedimin penal ndaj grupit kriminal të drejtuar nga Jetmir Pepa.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme lidhen me një organizatë të dyshuar si e përfshirë në trafikun e mbi 7 tonëve kokainë, e shtrirë në disa shtete të Amerikës Latine dhe Europës, përfshirë Belgjikën dhe Holandën. Sipas dosjes hetimore, aktiviteti i grupit dyshohet se është zhvilluar gjatë viteve 2019–2021 dhe përfshin të paktën tetë episode të trafikut të sasive të mëdha të lëndës narkotike.
SPAK ka lëshuar gjithsej 11 masa sigurie ndaj anëtarëve të dyshuar të këtij rrjeti kriminal. Mes emrave të përfshirë janë Jetmir Pepaj (alias Jetmir Marashi), Aleks Pepaj (alias Shkëlqim Pepaj), si dhe persona të tjerë si Albert Pjetri, Fatjon Marku, Anton Marku, Florjan Vuka, Kristjan Lleshi, Klevi Leka, Lulzim Pepa, Anton Kola dhe Ilir Lazri.
Sipas hetimeve, vëllezërit Pepa dyshohet se kishin ndërtuar një rrjet të gjerë ekonomik përmes kompanisë “Pepa Group”, e cila është përfshirë në sektorin e ndërtimit, koncesioneve dhe përfitimeve nga fondet publike. Në kuadër të këtij procedimi janë sekuestruar mbi 230 pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, përfshirë edhe kuota në disa shoqëri me seli në Tiranë.

