Aktualitet

Komiteti Shqiptar i Helsinkit thirrje për hetim të plotë të protestës së Zvërnecit

Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH) ka përfunduar monitorimin e procedurave të ndjekura nga autoritetet përgjegjëse gjatë dhe pas protestës së zhvilluar më 30 maj 2026 nga banorët e fshatit Zvërnec.

Nga verifikimet e kryera rezulton se “organizatorët kishin njoftuar paraprakisht Policinë e Shtetit për zhvillimin e protestës, ndërsa Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë kishte garantuar mbarëvajtjen e saj dhe kishte hartuar një plan masash për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike”.

Sipas të dhënave të mbledhura nga KShH, “protesta nisi dhe u zhvillua në mënyrë paqësore deri në momentin kur një banor i zonës, pjesëmarrës në protestë, u kap dhe u tërhoq me forcë brenda rrethimit të kantierit nga persona civilë, të cilët nuk ishin pjesë e struktures së policisë private Myrto, që është kontraktuar nga investitori”.

Ky veprim shënoi pikën e kthesës që çoi në përshkallëzimin e situatës. Gjatë seancës së marrjes në pyetje nga policia e Vlores  këta  persona kanë deklaruar  se janë punonjës të kompanisë Major Security. Kjo kompani nuk ka kontratë me investitorin.

Veçanërisht shqetësues është fakti se gjatë ngjarjes janë raportuar raste të përdorimit të spray-it piper dhe hedhja e gurëve  nga të njëjtët persona civilë kundër protestuesve. Sipas informacioneve të mbledhura gjatë monitorimit, dhe këqyrjes se pamjeve filmike, efekti i këtij spray-i ka prekur jo vetëm protestuesit, por edhe efektivë të Policisë së Shtetit të pranishëm në vendngjarje. Kjo ngre pikëpyetje serioze mbi praninë, rolin, autoritetin dhe veprimet e personave civilë të përfshirë në incident.

KShH vëren me shqetësim se drejtuesit vendorë të Policisë së Shtetit kanë pranuar se personat që ushtruan forcë ndaj protestuesit nuk ishin pjesë e strukturave të kontraktuara për sigurinë e objektit dhe se identiteti dhe statusi i tyre nuk ishte i qartë në momentin e ngjarjes. Megjithatë, nuk rezulton të jenë ndërmarrë veprime të menjëhershme për ndalimin apo shoqërimin e tyre në momentin e kryerjes së veprave të dyshuara penale.

Po ashtu, monitorimi evidenton mospërputhje mes përshkrimit të dinamikës se ngjarjeve nga drejtuesit e operacionit në terren dhe përmbajtjes së deklaratës zyrtare të publikuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë. KShH konsideron se komunikimi publik i institucioneve ligjzbatuese duhet të jetë i plotë, i saktë dhe i mbështetur në faktet e verifikuara.

Shqetësim paraqet edhe fakti që shoqerimi dhe arrestimi i shtetasit të identifikuar si autor i dyshuar i heqjes së paligjshme të lirisë dhe i dhunimit të protestuesit është kryer disa orë pas ngjarjes, pavarësisht se incidenti ka ndodhur në prani të forcave policore dhe është dokumentuar gjerësisht në pamje filmike.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit vlerëson se ushtrimi i të drejtës kushtetuese për tubim paqësor duhet të garantohet në çdo rast dhe se çdo përdorim force nga persona të paautorizuar ndaj qytetarëve kërkon hetim të plotë, të pavarur dhe efektiv.

KShH i bën thirrje Prokurorisë dhe Policisë së Shtetit të hetojnë në mënyrë të gjithanshme:

-rrethanat e heqjes së paligjshme të lirisë së protestuesit dhe identifikimin dhe nxjerrjen e përgjegjësisë të personave të tjerë të përfshirë në rrëmbimin dhe dhunimin e tij.

-ligjshmërinë e përdorimit të spray-it piper nga persona civilë;

-identifikimin, statusin juridik dhe autoritetin e personave civilë të përfshirë në incident;

-përgjegjësitë institucionale për mosndërhyrjen e menjëhershme ndaj veprimeve të kundërligjshme të konstatuara në terren.

KShH do të vijojë të ndjekë me vëmendje ecurinë e hetimeve dhe respektimin e standardeve të të drejtave të njeriut në trajtimin e kësaj ngjarjeje me interes të lartë public