Rama: Para 10 vitesh flamingot vriteshin dhe haheshin, sot kemi zgjeruar zonat e mbrojtura. Investimi do bëhet patjetër
Kryeministri Edi Rama ka folur në podkastin e tij “Flasim”, ku është ndalur sërish te çështja e investimit në Zvërnec dhe protestat kundër këtij projekti.
Ai u shpreh se 10 vite më parë në Shqipëri nuk flitej për zona të mbrojtura dhe se flamingot vriteshin dhe haheshin, ndërsa mjedisi shpesh ishte i ekspozuar ndaj dëmtimeve, ndërsa sot, sipas tij, situata ka ndryshuar ndjeshëm falë ndërhyrjeve të qeverisë.
Rama përmendi gjithashtu përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në UNESCO, duke e cilësuar si një arritje të rëndësishme për vendin dhe mbrojtjen e trashëgimisë natyrore.
“10 vite më parë, kur pyeteshin, flamingot vriteshin dhe haeshin. 10 vite më parë nuk bëhej fjalë për zona të mbrojtura, sepse ishin toka pa zot dhe shumë çka që duhej të vihej në mbrojtje, bëhej pre e babëzisë.
Çfarë do të kishte ndodhur nëse ne nuk do ta kishim zgjeruar hartën e zonave të mbrojtura?
Shqipëria këtë javë ka marrë një lajm të mirë me përfshirjen e Liqenit të Shkodrës në biosferën e UNESCO-s, një tjetër shembull domethënës se në Shqipëri nuk qeveris një forcë që shkatërron, por një forcë që ndërton, nuk qeveris një forcë që abuzon me mjedisin dhe trashëgiminë natyrore e kulturore, por përkundrazi një forcë që kërkon t’i harmonizojë të dyja bashkë.
Sepse, nëse zgjidhja është ose të konservosh ose të ndërtosh, do të thotë që nuk ke kuptuar asgjë nga zhvillimi i dekadave të fundit.
Zona e Zvërnecit nuk është zonë e mbipopulluar, por aty ka interesa dhe persona që punojnë dhe që pretendojnë pronat e tyre, madje aty ku do të zhvillohet projekti.
Vajta takova aty ata që kanë interes dhe të drejtë prone. Ajo që dëgjova ishte shqetësim krejt tjetër për problematika konkrete, dhe në fund gjithçka ishte pozitive, mes njerëzve që diskutojnë si njerëz, pa iu hedhur njëri-tjetrit në grykë.
Dhe ajo që më bëri përshtypje ishte se nuk dëgjova askënd të thotë se ky investim duhet të ndalet; përkundrazi, u ndje shqetësimi që “aman mos të ndalet, mos të humbasë.
Mbase këtë doni. Unë nuk besoj që këtë doni, por mbase ky është edhe qëllimi, që të jetojmë vetëm me flamingot, të cilët 99.99% e atyre që i mbrojnë s’i kam parë ndonjëherë me sy. Nuk e di. Shikojeni këtë punë.
Në ndërkohë që projekti do të bëhet, që të jemi shumë të qartë. Projekti do të bëhet sepse është një e mirë e madhe për ekonominë tonë. Është një bekim i madh për Vlorën dhe është një kapërcim i madh epokal për Shqipërinë turistike dhe për Shqipërinë europiane”, tha Rama.

