Erisa Xhixho reagon për kullën në Pallatin e Kongreseve
Nga Erisa Xhixho
Qeveria po fshin identitetin dhe historinë e Tiranës. Pas Teatrit Kombëtar e stadiumit “Qemal Stafa”, radhën e ka Pallati i Kongreseve.
Një kullë deri në 255 metra lartësi, synon t’i bashkëngjitet një prej godinave simbol të kryeqytetit, e ndërtuar në vitet ’80.
Edi Rama po e trajton Tiranën dhe gjithë Shqipërinë si pronë private, duke marrë vendime në mungesë të plotë transparence dhe konsultimi publik. Është i njëjti model që kemi parë në Zvërnec, në aeroportin e Vlorës, në Portin e Durrësit dhe kudo ku interesi publik është vënë në shërbim të një grushti njerëzish pranë pushtetit.
Vendime që merren në fshehtësi, marrëveshje që shmangin debatin publik dhe pasuri kombëtare që përdoren si plaçkë politike.
Ky është sistemi që shqiptarët po refuzojnë. Kjo është arsyeja pse të rinjtë e këtij vendi po largohen ose po ngrihen kundër padrejtësisë, brenda dhe jashtë Shqipërisë.
Një qeveri që përqendron pasuritë dhe mundësitë në duart e klientëve të saj, ndërsa pronën publike e trajton si pronë private, nuk e meriton Shqipërinë. Nuk i meriton qytetarët e saj. Dhe mbi të gjitha, nuk i meriton të rinjtë e këtij vendi.


