Hajduti që grabiti 60 mijë € nga “OTP” bashkëpunoi me një punonjës të bankës
Janë zbardhur detaje të reja nga grabitja e ndodhur më 2 qershor në filialin e “OTP Bank” në Tiranë, ku një person i paidentifikuar ka arritur të marrë rreth 60 mijë euro nga arka dhe është larguar me skuter. Sipas hetimeve të Policisë së Tiranës dhe Prokurorisë, autori ka hyrë dhe ka lëvizur brenda ambienteve të bankës në një moment kur punonjësi i sigurisë, Fehmi Ccullhaj, ishte larguar për pak minuta në tualet, duke lënë derën e brendshme të pambyllur.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, grupi hetimor ka arritur të rindërtojë lëvizjet e autorit, i cili është shfaqur direkt në drejtim të arkës në momentin kur tre arkëtaret sapo kishin tërhequr valutën dhe po e mbanin në kasafortë të përkohshme. Ky detaj ka ngritur dyshime për një mundësi informacioni të brendshëm, pasi grabitësi dukej se e njihte momentin e saktë të aksesit në arkë, ndërsa punonjëset kanë dorëzuar shumën prej 60 mijë euro nën kërcënim.
Deri tani më shumë se pesë persona janë shoqëruar dhe marrë në pyetje, por nuk është identifikuar ende autori i grabitjes. Ndërkohë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën “arrest në shtëpi” për rojen e sigurisë Fehmi Ccullhaj, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”, ndërsa hetimet po vijojnë për të zbuluar nëse ka pasur bashkëpunim të brendshëm në këtë ngjarje.

