Dita e 10-të e protestës në Tiranë/ Protestuesit kërkojnë largimin e Ramës, akuza edhe PD-së: Opozita është e shitur, po përdorin njerëz për shantazhe
Edhe këtë të martë, qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe aktivistë u mblodhën në sheshin “Skënderbej”, në ditën e 10-të të protestës për çështjen e zonave të mbrojtura dhe jo vetëm.
Ata kanë vijuar të kërkojnë dorëheqjen e qeverisë me thirrje të tilla si “Shqipëria është e shqiptarëve” dhe “Rama në burg, Berisha në burg”.
Nga aty, protestuesit do të marshojnë në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” ndërsa më pas do ndalen përpara Kryeministrisë, ku do të vijojnë tubimin e tyre.
Që në nisje të saj nuk kanë munguar kritikat ndaj opozitës duke e cilësuar të shitur.
“Sa më shumë flamuj amerikanë që ta marrë vesh bota, se kjo protestë shkon përtej flamengove, është për të gjitha hallet që ka populli shqiptar. Të gjithë ju duhet të ruani qetësinë, sepse politiqenërit i ka kapur paniku. Edhe opozita, krerët e opozitës po përdorin njerëz për shantazhe, për turp. Opozita ka humbur shansin e fundit për tu vetëpastruar”, tha një nga aktivistët.

