Dr. Vili Minarolli: Sistemi politik i ngritur, shkaku kryesor dhe i vetëm i pakënaqësisë popullore
Dhe fillimi i saj duhet të jetë largimin nga Kuvendi të deputetëve me preçedentë penal dhe që mbrohen nga imuniteti, ( deputetë të përmendur në dosjet 184 dhe 339, deputetë që përmenden në përgjimet e partnerëve ndërkombëtar, deputetë që e morën mandatin me mbështetjen e krimit të organizuar.)
Në lidhje me ngjarjet që po shoqërojnë jetën tonë politike këto ditë,thjesh si detyrim qytetar, po shpreh disa mendime:
Dhjetë ditë një protestë paqsore, shumë civile, e kulturuar, e veçantë nga të gjitha llojet e protestave politike të mëparshme, me parrulla që tregojnë një zgjim dhe ndërgjegjësim për atë ç’ka ndodhur në këtë vend në këto 35 vjet e veçanërisht në këto 13 vitet e fundit, tregon se populli ka vendosur të marrë në dorë fatet e tij. Parrullat dhe të folurit në podiumin e improvizuar apo në rrugë shprehin qartë mllefin e qytetarëve në të gjithë vendin ndaj poshtërimit, mashtrimit, abuzimit me pushtetin, korrupsionin që është shtrirë në çdo qelizë të pushtetit,pakënaqësinë ndaj pushtetit gjyqsor të kapur, që vepron me urdhër politik,e mbi të gjitha urrejtjen ndaj sistemit politik që ka shkatërruar ekonominë e vendit, duke e kthyer pasurinë publike dhe buxhetin e shtetit në mjet favoresh klienteliste,sistemin arsimor jo efektiv, kulturën dhe trashëgiminë kulturore drejt rrënimit ,shkatërrimin e infrastrukturës dhe betonizimin e bregdetit, etj.

Sistemi politik i ngritur është shkaku kryesor dhe i vetëm i pakënaqësisë dhe urrejtjes popullore. Dhe shkatërrimi i këtij sistemi nuk arrihet me dorëheqjen e kryeministrit, se në vend të tij do jetë një kukull e tij, nga ata që përfliten për lidhjen me krimin, në dosjes e sjella nga partnerët, ndonjë i dosjeve 184 apo 339, ndonjë i lidhur pazgjithmërisht me krimin dhe bandat kriminale, apo ndonjë parlamentar i sponsorizuar nga krimi i organizuar. Por as me parrulla populiste si “Rama në burg e Berisha në burg “që na sjellin në mendje parrullat e turmave në vitet 1946-1947 që në korr thërriste “kriminelët në litar” , apo thirrjet e kryeministrit“ burg, burg” për ata që nuk kishin paguar faturën e energjisë elektrike. Jemi në vitin 2026 me një shoqëri shumë më të emancipuar dhe me detyrime për statusit ndaj organizmave ndërkombëtare ku bëjmë pjesë apo ku synojmë të bëjmë pjesë.Së dyti Berisha që ka mbi 13 vjet jo në pushtet aktualisht ,është nën akuzë dhe po u shpall fajtor, do të dënohet sipas ligjeve. Rama para se të hetohet dhe pastaj të dënohet, duhet të shkarkohet si kryeministër dhe t’i hiqet imuniteti. Shkatërrimi i sistemit politik do realizohet jo nga kjo klasë politike që e krijoi, por duke bërë reforma të thella, që shkojnë për shtat me parrullën e krijimit të “Republikës të Re”. Dhe hapi i parë për mendimin tim është largimi i qeverisë dhe krijimi i një qeverie teknike, jo si ato qeveritë që u krijuan më parë , që nuk ishin teknike, por u ngjzën nga marrëveshja e dy partive politike. Ato ishin qeveri politike. Qeveri teknike larg influencave politike, persona me integritet, atdhetarë dhe specialistë të fushave përkatëse. Mandati i saj duhet të jetë minimuni një vit, pikërisht pas përfundimit të zgjedhjeve administrative. Dhe fillimi i saj duhet të jetë largimin nga Kuvendi të deputetëve me preçedentë penal dhe që mbrohen nga imuniteti, ( deputetë të përmendur në dosjet 184 dhe 339, deputetë që përmenden në përgjimet e partnerëve ndërkombëtar, deputetë që e morën mandatin me mbështetjen e krimit të organizuar.)Dhe nuk ka nevojë të plotësohen vendet vakante se është preçedenti kur deputetët e opozitës braktisën parlamentin dhe ai funksionojë me 122 antarë.
Republika e Re kërkon ribërjen e Kushtetutës, që është kthyer në një dokument pa asnjë vlerë për shkak të ndërhyrjes të politikës sipas interesave të çastit. Dhe abrogimin e të gjitha ligjeve dhe kontratave klienteliste, të PPP, të investitorëve strategjikë dhe çdo ligji tjetër që cënon interesin kombëtar. Detyra kryesore pas ribërjes të kushtetutës do jetë reformat kryesore, ajo zgjedhore me administratë të depolitizuar që do të garantojë një proçes zgjedhor normal dhe reforma administrative përsëri jo sipas interasave politike, po në shërbim të komuniteteve. Po ashtu duhet të ribëhet reforma në drejtësi duke korigjuar abuzimet e mëparshme. Pas zgjedhjeve lokale parlamenti shpërndahet dhe kalohet në zgjedhjet e parakohshme. Të kërkohet që qeveria teknike të ketë asistencë të huaj, nga specialistë të SHBA-së dhe Komisioni i Venecias dhe jo si ata që asistuan reformën në drejtësi.
Këto janë disa mendime ndoshta për diskutim dhe përmirësim.
Me respekt
Dr. Vili Minarolli

