Rruga e pakalueshme/ U dëmtua nga shirat, tani ka bllokuar një lagje të Gjirokastrës. Banorët thirrje bashkisë
Që prej muajit janar, kur rruga u dëmtua nga shirat e rrëmbyeshëm, situata mbetet e pandryshuar dhe problematike për banorët e lagjes Manalat në Gjirokastër.
Prej muajsh, banorët por edhe nxënësit e shkollës 9-vjeçare “Naim Frashëri” detyrohen të kalojnë çdo ditë në këtë aks, i cili konsiderohet i rrezikshëm. Edhe pse studimi gjeologjik është kryer, deri më tani nuk është ndërhyrë për rikonstruksionin apo sigurimin e rrugës, duke e lënë atë pothuajse të pakalueshme për banorët dhe automjetet.
Banorët apelojnë ndaj Bashkisë së Gjirokastrës që të ndërhyjë sa më parë, për të shmangur ndonjë ngjarje të rëndë apo fatkeqësi që mund të shkaktohet nga gjendja e amortizuar e rrugës.
Ky segment ndodhet pas Kalasë së Argjiros dhe përdoret jo vetëm nga banorët e zonës, por edhe nga turistë të shumtë, të cilët shpesh kalojnë aty pa qenë të informuar për rrezikun që paraqet rruga.
Nga kjo pikë turistike vizitorët kanë mundësi të shijojnë panoramën e gjithë qytetit të Gjirokastrës.

