‘Samiti i Arubës’ dokumenton lidhjet’/ Këlliçi: SPAK të shkojë te ‘kumbari’, Rama pas çdo euro të pisët që futet në ndërtim!
Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, reagoi përmes një postimi në Facebook lidhur me aksionet e fundit të SPAK, duke deklaruar se ato po nxjerrin në pah mekanizmin që, sipas tij, është ngritur nga kryeministri Edi Rama për investimin e parave të drogës në sektorin e ndërtimit.
Këlliçi u shpreh se opozita e ka denoncuar prej vitesh këtë fenomen, ndërsa akuzoi Ramën si “arkitektin dhe kumbari i kësaj skeme”, duke shtuar se ai është garantuesi i saj.
Sipas deputetit demokrat, ‘Samiti i Arubës’, i cili sipas tij tashmë është dokumentuar edhe nga SPAK, përbën një nga rastet ku kryeministri u ka dhënë sinjale grupeve kriminale për të investuar paratë në ndërtim.
Ai bëri të ditur se do të ndërmarrë disa nisma parlamentare në lidhje me situatën, duke theksuar se prej dy muajsh ka nisur komunikimet me institucionet përgjegjëse shtetërore dhe se së shpejti do të paraqesë propozime konkrete ligjore.
Ndër masat që ai tha se do të propozojë janë ndryshime ligjore që, sipas tij, do të pamundësojnë që kompani me kapital minimal të marrin leje ndërtimi për projekte me vlera shumë të larta financiare. Gjithashtu, Këlliçi deklaroi se do të angazhohet për forcimin e garancive ligjore kundër pastrimit të parave në sektorin e ndërtimit.
Deputeti demokrat kërkoi gjithashtu ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për të hetuar zhvillimet e deritanishme në këtë sektor, duke argumentuar se kjo do t’i shërbente transparencës publike.
Në përfundim të reagimit, Këlliçi përsëriti akuzat ndaj kryeministrit Rama, duke pretenduar se ai qëndron pas futjes së parave të paligjshme në sektorin e ndërtimit dhe duke kërkuar dorëheqjen e tij. Ai shtoi se, sipas tij, “Edi Rama është pas çdo euro të pisët që futet në ndërtim” dhe se “duhet të japë dorëheqjen”.
Postimi i Këlliçit:
Aksionet e SPAK të ditëve të fundit po nxjerrin në pah mekanizmin që ka ngritur Edi Rama, për investimin e parave të drogës në ndërtim!
Ajo që ne kemi denoncuar e kemi ngritur zërin prej vitesh. Se ai, Edi Rama është arkitekti dhe kumbari i kësaj skeme. Është garanti.
Samiti i Arubës që aktualisht e ka dokumentuar dhe SPAK është një nga rastet ku Edi Rama u thotë çunave: vazhdoni punën, lekët hidhini në ndërtim!
SPAK ka detyrimin ligjor të shkojë tek kumbari. Atë presin njerëzit, atë kërkon sheshi. Atë kërkojnë shqiptarët në revoltë.
Nďërkohë, unë do të ndërmarr disa nisma parlamentare, mbi këtë situatë.
Prej 2 muajsh kam nisur komunikimet me instancat përgjegjëse shtetërore dhe shumë shpejt do paraqes nismat konkrete ligjore.
Kriminalizimi i këtij sektori kërkon masa konkrete.
Do të propozoj ndryshime që do të pamundësojnë kompani fiktive me 1 mijë euro kapital të marrin leje ndërtimi për projekte deri në 100 milionë euro.
Do angazhohem për ndryshime e garanci ligjore që të ndalojnë pastrimin e parave në ndërtim. Një komision hetimor për gjithë çka ndodhur deri tani do të shërbente për transparencë.
Kjo bëhet për interes publik dhe në emër të gjithë atyre që nuk blejnë dot një shtëpi, që u duhen dekada të kenë një strehë.
Po një gjë është e njohur dhe askush nuk e vë më në dyshim.
Edi Rama është pas çdo euro të pisët që futet në ndërtim!
E presin ditë të vështira!
Por në fillim, duhet të japë dorëheqjen. Pas çdo grupi kriminal që ka hedhur miliona euro në ndërtim është ai.

