Opinion

Nga Beqir Sina – Ish-kandidati për bashkinë e Nju Jorkut: “Turp për Ramën dhe Kushnerin”

Beqir SINA – New York
Nju Jork, 15 qershor 2026 – Curtis Sliwa, themeluesi i Guardian Angels dhe kandidati republikan për kryetar bashkie të Nju Jorkut në dy zgjedhje të fundit, ka kritikuar ashpër investimet e Jared Kushner dhe Ivanka Trump në Shqipëri, duke i quajtur ato “një grabitje” dhe “pirateri”.
Deklarata e tij vjen në kulmin e protestave 15-ditore në Tiranë kundër projektit të ishullit të Sazanit dhe lagunës së Zvërnecit.

“Në anën tjetër të Adriatikut ka lindur gjyshi im dhe gjysma e miqve të mi sot janë shqiptarë. Prandaj i njoh mirë shqiptarët”, tha Sliwa. “Ajo që po bëjnë Kushneri dhe gruaja e tij është një grabitje. Janë si piratë. Kryeministri juaj është një mashtrues. Ai e ka shitur popullin shqiptar. Turp për Ramën dhe turp për Kushnerin e gruan e tij”.
Sliwa shtoi se përgjegjësia kryesore i takon Donald Trumpit, i cili “mund t’i jepte fund kësaj brenda natës”.
Protestat në Tiranë, të organizuara nga opozita dhe grupe qytetare, kanë zgjatur dy javë rresht, me pjesëmarrje të gjerë edhe nga diaspora shqiptare në SHBA. Protestuesit akuzojnë qeverinë e Edi Ramës se po privatizon zona me vlerë të lartë ekologjike dhe historike pa transparencë dhe në dëm të interesit publik.
Sliwa, i njohur për aktivizmin e tij kundër krimit në Nju Jork, ka lidhje të ngushta me komunitetin shqiptar në qytet. Ai ka marrë pjesë në disa aktivitete të diasporës dhe shpesh ka shprehur simpati për çështjet shqiptare.
Deklarata e tij reflekton shqetësimin në rritje brenda komunitetit shqiptaro-amerikan për mënyrën se si po menaxhohen investimet e huaja strategjike në Shqipëri.
Shumë shqiptarë në Nju Jork e shohin këtë çështje si simbol të mungesës së transparencës dhe rrezikut për trashëgiminë kombëtare.
Andaj edhe shqiptarët e Amerikës dy të diela rresht në Nju Jork, kan protestuar masivisht duke mbështetur protestat në Shqipëri, dhe kanë kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Rama.
Kurse kritikat e Sliwas, dje nga Nju Jorku, po vijnë në një moment delikat politik, teksa diaspora po ndjek me vëmendje zhvillimet në atdhe.