Aktualitet

SPAK sekuestron hotelin luksoz me 5 yje në Jalë, pjesë e pasurive 150 milionë euro të grupit kriminal

SPAK ka vendosur nën sekuestro edhe hotelin luksoz “Zig Zag” në Jalë, një prej strukturave më të njohura turistike në bregdetin e jugut, pas goditjes së një grupi të dyshuar kriminal që, sipas Prokurorisë së Posaçme, kishte investuar paratë e trafikut të kokainës në pasuri të paluajtshme, ndërtime, hotele dhe vila luksoze.

Hoteli “Zig Zag”, i ndërtuar në faqen e kodrës në zonën e Jalës, njihet si një strukturë akomoduese me 5 yje dhe me kapacitet rreth 200 dhoma. Sipas të dhënave të raportuara, ky aset është pjesë e listës së pasurive të sekuestruara sot nga SPAK në kuadër të hetimeve për pastrim parash dhe investim të të ardhurave kriminale në ekonominë formale.

Në total, Prokuroria e Posaçme ka sekuestruar 491 pasuri, me vlerë të përllogaritur rreth 150 milionë euro. Mes tyre përfshihen hotele, vila, apartamente, troje dhe pasuri të tjera të paluajtshme në disa prej zonave më të rëndësishme të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Lezhën, Shkodrën, Dhërmiun, Sarandën dhe vijën bregdetare shqiptare.

Sipas SPAK, grupi i dyshuar kriminal drejtohej nga Dritan Gjika dhe Eldi Dizdari, ndërsa në qendër të skemës së pastrimit të parave dyshohet se qëndronte Isa Aliu. Hetuesit dyshojnë se të ardhurat e siguruara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës janë futur në Shqipëri dhe janë investuar në sektorin e ndërtimit, turizmit dhe pasurive të paluajtshme.

Në kuadër të këtij operacioni, masa sigurie “arrest me burg” janë lëshuar edhe për Nikoll Bibaj, Sokol Bibaj, Armando Pacani, Naldi Yzeiraj, Oklid Aliu dhe Shpëtim Aliu.

Sekuestrimi i hotelit “Zig Zag” në Jalë tregon se hetimi i SPAK nuk është kufizuar vetëm te emrat e dyshuar të trafikut të drogës, por është shtrirë edhe te asetet luksoze ku dyshohet se janë ricikluar milionat e kokainës. Bregdeti, ndërtimi dhe turizmi janë tashmë në qendër të hetimit si sektorë ku paratë e krimit dyshohet se janë kthyer në prona, resorte dhe investime me fasadë të ligjshme.