Hetimet e SPAK mbi pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit, Balliu: Prokuroria e Posaçme duhet të hetojë kryeministrin, asnjë kullë nuk bëhet pa firmën e tij
Deputeti i Partisë Demokratike dhe Nënkryetari i Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Klevis Balliu, ka komentuar hetimet e fundit të SPAK mbi pastrimin e parave më sektorin e ndërtimit, ku thotë se kanë vërtetuar denoncimet e vazhdueshme të opozitës për lidhjet mes krimit të organizuar, trafikut të drogës dhe bumit të kullave në Shqipëri.
Në një deklaratë për mediat, Balliu theksoi se Partia Demokratike ka denoncuar prej 14 vitesh përdorimin e sektorit të ndërtimit si mekanizëm për pastrimin e parave të drogës, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama se ka refuzuar sistematikisht të japë llogari për këtë çështje.
“Pak javë më parë kërkova në emër të opozitës interpelancë me Edi Ramën për pastrimin e parave në ndërtim. Kjo kërkesë u refuzua. Po ashtu, në cilësinë e Nënkryetarit të Komisionit për Sigurinë Kombëtare, kërkova një seancë dëgjimore me Kryeministrin, por ai refuzoi të paraqitet. Rama nuk jep shpjegime sepse ka frikë nga faktet”, deklaroi Balliu.

