Bajrët kallëzojnë në SPAK Marjana Koçekun
Safet dhe Behar Bajri kanë depozituar një kallëzim në Prokurori kundër deputetes socialiste Marjana Koçeku, pas deklaratave të saj publike ku ajo pretendonte se anëtarë të familjes Bajri e kishin kërcënuar atë dhe familjen e saj me jetë. Në kallëzimin e bërë publik për mediat, ata e cilësojnë deklaratën e deputetes si të pavërtetë dhe të pambështetur në asnjë provë konkrete, duke kërkuar hetim penal për rrethanat e bëra publike.
Sipas pretendimeve të tyre, anëtarë të familjes Bajri ndodhen aktualisht të privuar nga liria dhe për këtë arsye nuk kanë pasur mundësi faktike për të kryer veprimet që u atribuohen. Ata theksojnë gjithashtu se deputetja nuk ka paraqitur asnjë provë materiale apo dokumentare pranë organeve kompetente për të mbështetur akuzat e saj, duke ngritur dyshime mbi vërtetësinë e deklarimeve të bëra.
Në kallëzim, Bajrat i kërkojnë Prokurorisë regjistrimin e procedimit penal, verifikimin e plotë të deklaratave dhe përgjegjësisë së deputetes Marjana Koçeku, si dhe hetimin e arsyes së publikimit të këtyre pretendimeve dhe personave të mundshëm që mund ta kenë nxitur. Po ashtu, ata kërkojnë ruajtjen e menjëhershme të postimit origjinal në rrjete sociale dhe të të dhënave teknike të tij, si dhe administrimin e të gjitha provave përkatëse dhe njoftimin e tyre për veprimet hetimore të ndërmarra nga organet e drejtësisë.

