Politikë

Rama mbledh Grupin Parlamentar të PS në mbledhje të zgjeruar, zbulohen detajet

Partia Socialiste do të zhvillojë të shtunën, në orën 10:00, mbledhjen e zgjeruar të grupit parlamentar në Pallatin e Brigadave, sipas burimeve në media.

Lajmërimi për takimin u është dërguar deputetëve vetëm pak më parë.

Mbledhja vjen në një moment të ndjeshëm politik, kur prej disa ditësh në vend po mbahen protesta qytetare kundër projektit të parashikuar në Zvërnec dhe ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura.

Po ashtu, takimi zhvillohet në një kohë kur mazhoranca përballet edhe me largimin e një deputeteje nga radhët e saj, atë të Marjana Koçekut që kryesonte listën e socialistëve të Shkodrës.

Takimi shënon edhe rikthimin e mbledhjeve të përmuajshme të grupit parlamentar socialist, të cilat nuk janë zhvilluar prej muajit prill. Mbledhja e fundit e grupit është mbajtur pikërisht në prill, ndërsa tashmë socialistët rikthehen në formatin e zakonshëm të konsultimeve politike.

Në takim pritet të marrin pjesë deputetët e mazhorancës, ndërsa në fokus do të jenë çështje që lidhen me agjendën politike dhe prioritetet e qeverisë për periudhën në vijim.