Aktualitet

Pas Kuvendit, protestuesit ndalin marshimin te selia e PD, përplasje me militantët demokratë: Opozitë e shitur!

Protesta e qytetarëve ka vijuar për të 19-në ditë radhazi, me tubuesit që janë mbledhur pranë godinës së Kuvendit të Shqipërisë gjatë seancës plenare.

Protestuesit janë pozicionuar pranë hyrjes kryesore të Kuvendit, duke bllokuar kalimin e deputetëve të mazhorancës.

Për shkak të situatës, disa prej tyre kanë dalë nga një hyrje tjetër e godinës, duke shmangur hyrjen kryesore.

Po ashtu, kryeministri Edi Rama ka dalë nga Kuvendi përmes një hyrjeje tjetër, duke shmangur daljen nga hyrja kryesore ku ishin të mbledhur protestuesit.

Pasi u larguan nga Parlamenti për të shkuar drejt Kryeministrisë, disa prej protestuesve kaluan edhe pranë selisë së PD-së, ata brohoritën thirrje si: “Rama në burg, Berisha në burg”, si dhe “Opozitë e shitur”.

Këto kore irrituan disa mbështetës demokratë të cilët po qëndronin para selisë që nisën një përplasje verbale me turmën e protestuesve, që gati sa nuk kaloi në përplasje civile.

Situata u qetësua dhe protestuesit vijuan rrugën drejt Kryeministrisë.