Fluks në pediatrinë e Korçës, shkak virozat stinore dhe gripi
Pediatria e Korçës po përballet me fluks përgjatë kësaj periudhe, për shkak se fëmijët janë prekur nga virozat stinore dhe gripi, ndërsa numri i vizitave shkon dhe 70 në ditë. Për Euronews Albania, shefi i shërbimit të pediatrisë, Robert Rado tregon se rastet kanë qenë të ndryshme.
“Kemi pasur rritje të fluksit, ku gjatë kësaj periudhe ka shfaqje të viruseve, gripit, të tipit A, e cila shkakton simptoma të gripit me temperaturë dhe probleme me rrugët e frymëmarrjes. Numri i vizitave ka qenë nga 40-70, rastet kanë qenë të ndryshme, nga më të lehtat deri te komplikacionet”, tha Rado.
Mjeku Rado informon dhe për simptomat e gjendjes gripale apo virusit stinor.
“Simptoma kryesore është temperatura e lartë, deri në 40, përveç kollës e simptomave tjera”, tregon ai.
Një dietë e shëndetshme, por edhe konsumimi i lëngjeve dhe çajrave janë të domosdoshme për të gjithë qytetarët e sidomos fëmijët e prekur nga gripi.
