Debati/ ‘Më hoqën nga puna sepse protestova’, Ministria i përgjigjet pretendimeve të atletit: Nuk ka qenë kurrë i punësuar në shtet
“Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt vetëm sepse kam dalë të protestoj me të rinjtë si qytetar i lirë.” Kjo ishte akuza që ngriti të shtunën atleti David Nikolli përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendoi se po përballej me pasoja për shkak të pjesëmarrjes në protestat që prej 21 ditësh zhvillohen para Kryeministrisë kundër investimit 4 miliard dollarësh në Zvërnec
Nikolli tha se do të ndiqte të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e tij.
“Jam këtu të denoncoj maskarallëkun e radhës së pushtetit. Unë si kampion që kam përfaqësuar vendin tim me krenari dhe kam dhënë gjithçka në sport, sot përballem me këtë padrejtësi. Jam kampion i Ballkanit me 8 medalje, kam 12 rekorde kombëtare dhe vetëm pak ditë më parë fitova kampionatin kombëtar shqiptar në dy gara. Më hiqet puna shtetërore dhe nuk më njihen titujt vetëm sepse kam dalë të protestoj me të rinjtë si qytetar i lirë. Këto padrejtësi ndaj meje dhe ndaj të rinjve do të dënohen ligjërisht bashkë me avokatët e mi. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të mbrojtur të drejtat e mia. Mos u shqetësoni, koha do t’i rregullojë të gjitha. Njerëzit e lirë nuk mund të frikësohen” deklaroi ai.
Por një ditë më vonë erdhi reagimi i Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, e cila hodhi poshtë pretendimet e sportistit.
“David Nikolli nuk ka qenë dhe nuk është i punësuar në asnjë organikë administrate apo në ndonjë ent a institucion shtetëror të Republikës së Shqipërisë. Për rrjedhojë, pretendimi se i është hequr “puna shtetërore” është i pavërtetë dhe nuk mbështetet në asnjë fakt apo akt administrativ, dhe insinuata mbi protestën është edhe më e gabuar përveçse e pabazë tërësisht”, thuhet në reagimin zyrtar.
Sipas ministrisë, Nikolli prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e tij profesional në Itali, ndaj pretendimet për largim nga një vend pune shtetëror në Shqipëri “nuk kanë si qëndrojnë”. Për më tepër, sipas Ministrisë, sportisti ka përfituar mbështetje financiare në kuadër të statusit të sportistit të nivelit të lartë.
“Gjithashtu, është fakt i njohur se sportisti prej vitesh jeton dhe ushtron aktivitetin e tij profesional në Itali, duke mos qenë i punësuar në Shqipëri. Për këtë arsye, pretendimet për largim nga një vend pune shtetëror në Shqipëri nuk kanë si qendrojnë. Nga dokumentacioni financiar rezulton se sportisti ka përfituar mbështetje financiare në kuadër të statusit të sportistit të nivelit të lartë, përfshirë trajtim ushqimor dhe shpërblime sportive gjatë periudhës 2024–2026, në përputhje me legjislacionin dhe aktet nënligjore në fuqi”, thuhet në reagim.
Ministria kundërshton edhe pretendimet për ndërprerje të marrëdhënies me Klubin Sportiv Partizani.
“Po ashtu, rezulton se Klubi Sportiv Partizani nuk e ka përjashtuar sportistin nga aktiviteti sportiv, por i ka ofruar mundësinë e vazhdimit të bashkëpunimit në kuadër të strukturës së re organizative të klubit, përmes lidhjes së një kontrate si sportist i klubit. Sportistit i është kërkuar paraqitja e një kërkese zyrtare për shqyrtim nga organet drejtuese të klubit, me qëllim vijimin e marrëdhënies kontraktuale.”, sqaron institucioni.
Në fund të reagimit përmendet edhe çështja e procedurave antidoping. Ministria deklaron se nga verifikimet administrative të kryera deri tani nuk rezulton që sportisti të jetë pjesë e sistemit kombëtar të regjistrimit antidoping apo të ketë dokumentuar kryerjen e kontrolleve sipas procedurave përkatëse.
Përballë akuzave të sportistit për ndëshkim pas pjesëmarrjes në protestë, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit këmbëngul se faktet dhe dokumentacioni zyrtar nuk mbështesin versionin e paraqitur nga David Nikolli.

