Qytetari dhe eksperti, Gent Progni që denoncoi vjedhjet e milionave tek AKSHI
Av.Arben Llangozi
Një nga protestuesit e arrestuar ditën e djeshme është edhe Gent Progni, një djalë besnik ndaj idealeve, një njeri kurajoz dhe me karakter, i cili ka pasur guximin të denoncojë aferën e AKSHI-t, një nga çështjet më të rënda të abuzimit me fondet publike.
Gent Progni nuk është njeri që doli në shesh për interes personal, për poste, për favore apo për pushtet. Ai është një qytetar që zgjodhi të mos heshtë përballë padrejtësisë dhe korrupsionit. Zgjodhi të flasë, edhe pse e dinte shumë mirë se në këtë vend kush denoncon të fuqishmit shpesh përballet me presion, goditje dhe përndjekje.
Padyshim, një njeriu si Genti mund t’i ofroheshin shumë gjëra për të heshtur. Mund t’i premtoheshin përfitime, mund t’i bëhej presion, mund të tentohej blerja e dinjitetit të tij. Por ai nuk e shiti veten. Nuk shiti idealet. Nuk shiti të vërtetën. Nuk zgjodhi rehatinë personale përballë interesit publik.
Dhe pikërisht për këtë arsye, arrestimi i tij nuk është thjesht arrestimi i një protestuesi. Është mesazh i qartë ndaj çdo qytetari që guxon të ngrejë zërin kundër korrupsionit: hesht, ose do të përballesh me forcën e shtetit.
Por dinjiteti nuk arrestohet. E vërteta nuk mbyllet me pranga. Dhe njerëzit që nuk blihen janë pikërisht ata që i trembin më shumë pushtetet e kalbura.
Sot Gent Progni meriton solidaritet, respekt dhe mbështetje. Sepse në një vend ku shumë heshtin për interesa personale, ai pati guximin të flasë. Dhe në një kohë kur shumë shiten lirë, ai tregoi se ka ende njerëz që dinjitetin nuk e nxjerrin në pazar.

