Aktualitet

Lidhjet offshore të ish-drejtuesit të Bankers Petroleum,emri i Leonidha Çobos del në dokumente, në rrjetin e kompanive në Ishujt Kajman

Emri i ish-drejtuesit të Bankers Petroleum, Leonidha Çobo, del në dokumentet e Paradise Papers si drejtues i disa kompanive offshore në Ishujt Kajman. Zbulimi vjen në kohën kur Bankers është nën hetim për dyshime mbi evazion fiskal, pastrim parash dhe lëvizje fondesh përmes llogarive jashtë vendit, duke ngritur pikëpyetje mbi transparencën financiare dhe respektimin e detyrimeve ndaj shtetit shqiptar.

Marrëveshja e koncesionit i lejon Bankers Petroleum të hapë llogari dhe të lëvizë lirisht paratë nga shitjet e naftës kudo jashtë vendit. Kjo është klauzola që Bankers shfrytëzoi për llogarinë e famshme të Vjenës.Por hapja e një llogarie jashtë vendit nuk është pa kushte. Bankierët janë të detyruar t’i raportojnë AKBN-së dhe autoriteteve fiskale shqiptare çdo llogari, në çdo bankë në botë, ku merr pagesa për eksportet e naftës shqiptare. Dhe kjo nuk është pa qëllim.Ligji fiskal e detyron kompaninë të dokumentojë me faturat përkatëse çdo shpenzim ose lëvizje fondesh që bën nga këto llogari, sepse në bazë të këtyre dokumenteve, shteti dokumenton bilancin e kompanisë dhe pjesën e fitimit që i takon të marrë.Por në rastin e një llogarie sekrete, ku askush nuk e di se ku ndodhet përveç kinezëve, shteti nuk ka asnjë mënyrë për të verifikuar se si janë shpenzuar paratë. Përtej kësaj, ky është një veprim i papërgjegjshëm në bilanc.Dërgimi i parave në një llogari sekrete është praktikisht një shkelje e marrëveshjes së koncesionit, pasi kompania nuk sillet më si një koncesionar, i cili ka vetëm të drejtën të përdorë një aset publik, por sillet si pronari i tij, i cili mund t’i fshehë paratë ku të dojë.Së dyti, ky është një aktivitet kriminal financiar, i cili eliminon plotësisht autoritetet fiskale të Shqipërisë dhe bashkë me to edhe aftësinë e shtetit për të mbrojtur pjesën e tij të të ardhurave.Por pjesa më serioze e gjithë kësaj historie është se ky veprim ndodhi pikërisht në një kohë kur kompania ishte nën hetim nga SPAK dhe autoritetet po kërkonin të mblidhnin miliarda lekë borxhe që Bankers i detyrohet shtetit.

Në fillim të muajit të kaluar, menjëherë pasi GJKKO miratoi zgjatjen e hetimeve kundër Bankers me tre muaj të tjerë, SPAK i kërkoi kompanisë kineze të vinte në dispozicion lëvizjet e llogarisë në Vjenë dhe çdo dokument mbështetës për çdo transaksion të kryer nga kjo llogari.Një kërkim në bazën e të dhënave të International Consortium of Investigative Journalists (ICIJ) zbulon se ish-drejtuesi i Bankers Petroleum Albania, Çobo, figuron me funksione drejtuese në disa kompani të regjistruara në Ishujt Kajman, një nga juridiksionet më të njohura offshore.

Sipas dokumenteve të Paradise Papers, Çobo rezulton drejtor i Bankers Petroleum Albania Ltd., si dhe i Sherwood International Petroleum Ltd. dhe Sherwood International Petroleum (Cayman) Inc.. Në këtë të fundit ka mbajtur edhe funksionin e zëvendëspresidentit. Të dhënat lidhen me dokumentacionin e publikuar nga Paradise Papers. Sherwood International Petroleum ishte kompania që administronte fushën naftëmbajtëse të Kuçovës, ndërsa më vonë u përfshi në strukturën e Bankers Petroleum, e cila prej vitit 2004 operon edhe fushën e Patos-Marinzës, një nga vendburimet më të mëdha tokësore të naftës në Evropë. Në vitin 2016, Bankers Petroleum u ble nga kompania kineze Geo-Jade Petroleum, në një marrëveshje me vlerë rreth 575 milionë dollarë. Emri i Leonidha Çobos është rikthyer në vëmendje edhe pas hetimeve të Prokurorisë së Fierit ndaj drejtuesve të Bankers Petroleum për dyshime mbi evazion fiskal, pastrim parash dhe vepra të tjera të dyshuara penale. Patos-Marinza është zona kryesore e naftës në Shqipëri. Kjo fushë prej 44 mijë hektarë është burimi më i madh natyror i naftës në të gjithë Evropën, me një kapacitet prodhimi prej 7.7 milionë fuçi naftë në vit.Si pasojë e rritjes së investimeve të huaja eksportet e naftës vendase janë rritur me ritme shumë të shpejta që prej vitit 2005. Eksportet e naftës shqiptare drejt tregjeve të huaja në fund të vitit 2012 arritën në 56.7 miliardë lekë, duke dominuar kështu totalin e eksporteve vendase. Në raport me një vit më parë, eksportet janë rritur 36%, ndërsa kundrejt vitit 2005 ato kanë regjistruar një rritje prej 2880%.Të njëjtën ecuri pozitive kanë regjistruar edhe eksportet në sasi, duke shënuar 1 milionë ton në fund të vitit 2012. Në raport me një vit më parë ato janë rritur 36.3%. ndërsa kundrejt vitit 2005 rritja është 1193%.Edhe në 10-muajt e parë të vitit 2013, sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, ecuria e eksporteve të naftës ka vijuar të jetë pozitive duke u rritur në nivelet e një viti më parë. Në fund të tetorit 2013 eksportet kishin arritur në 1.6 milionë tonë.Eksportet e naftës shqiptare janë 2.4 herë më të larta se sasia e karburanteve që Shqipëria importon në vend për t’u përdorur në konsumin vendas. Në total, në fund të vitit 2012 janë importuar në Shqipëri rreth 430 mijë ton karburante. Sasia e importeve të karburanteve ka shënuar rënie në vitet e fundit si pasojë e krizës ekonomike dhe reduktimit të përdorimit të automjeteve nga konsumatorët. Rënia ka vijuar edhe në vitin 2013, duke u tkurrur në 359 mijë ton.