Ilir Meta: 4.2 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, të përdorura për cirk, si koncerti i Kanye West
Në vend që qytetarët të marrin shërbimet e duhura jetike që prej kohësh mungojnë në sistemin shëndetësor, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) rezulton se nuk disponon as pajisjet më bazike, të domosdoshme për mbrojtjen e shëndetit dhe shpëtimin e jetës.
Paradoksalisht, QSUT meriton të falënderohet që e bëri publik degradimin e qëllimshëm dhe kriminal në të cilën ndodhet shërbimi shëndetësor, duke iu drejtuar qytetarëve për ndihmë, pasi duket se nuk ka më mundësi t’i drejtohet Qeverisë, e cila ka vendosur si prioritet korrupsionin dhe vjedhjen e parave publike.
Kjo braktisje e rëndë e pacientëve dhe e njerëzve në nevojë në spitale është një tregues i qartë se për Edi Ramën mbrojtja e shëndetit publik nuk ka qenë kurrë prioritet.
Në vend të saj, prioritet mbetet korrupsioni dhe shpërdorimi i fondeve publike, përfshirë edhe 4.2 milionë euro nga Fondi i Emergjencave, të përdorura për cirk, si koncerti i Kanye West.


