Shteti nuk ndërtohet me spektakël, por me shërbime publike cilësore
Artur Mamadhaj Klosi
Ekspert i Auditimit Publik dhe Antikorrupsionit Global
Debati mbi përdorimin e fondeve publike për aktivitete promovuese apo artistike është, mbi të gjitha, një debat për prioritetet e qeverisjes. Nëse një shtet përballet me mungesë ilaçesh në spitalet publike, me nevoja në sistemin onkologjik, me mungesë fondesh për përballimin e zjarreve, mbrojtjen civile apo infrastrukturën e drejtësisë, atëherë është legjitime që qytetarët të kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie për mënyrën se si planifikohen dhe përdoren fondet publike. Nga këndvështrimi i auditimit publik, çdo shpenzim duhet të respektojë parimet e ekonomicitetit, efiçencës, efektivitetit dhe interesit publik. Këto nuk janë vetëm standarde profesionale, por edhe detyrime të një administrimi të përgjegjshëm të financave publike.
Nëse në sistemin onkologjik mungojnë barna apo trajtime të domosdoshme, ose nëse strukturat e mbrojtjes nga zjarret nuk disponojnë burimet e nevojshme, këto janë çështje që kërkojnë verifikim institucional dhe përgjigje publike. Po ashtu, çdo vendimmarrje për përdorimin e fondeve publike duhet të jetë e dokumentuar, e justifikuar dhe e hapur për kontroll.
Qytetarët presin që buxheti i shtetit të reflektojë nevojat më urgjente të shoqërisë: shëndetësinë, sigurinë, arsimin, drejtësinë dhe mbrojtjen e jetës. Këto janë investimet që forcojnë besimin te shteti dhe i shërbejnë interesit publik. Një qeverisje e mirë nuk matet nga madhështia e spektakleve, por nga cilësia e shërbimeve që garanton për qytetarët e saj.

