Zjarr përgjatë autostradës Fier–Vlorë, flakët përfshijnë rreth 2 kilometra! Tymi vështirëson qarkullimin
Një zjarr ka shpërthyer pasditen e kësaj të hëne përgjatë autostradës Fier–Vlorë, ku flakët kanë përfshirë një sipërfaqe të konsiderueshme në anë të rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, zjarri është përhapur në një gjatësi prej rreth 2 kilometrash, ndërsa tymi i dendur ka krijuar vështirësi për drejtuesit e automjeteve që qarkullojnë në këtë aks të rëndësishëm rrugor.
Në pamjet e mbërritura nga vendngjarja shihen flakët që avancojnë përgjatë brezit anësor të autostradës, ndërsa era ka favorizuar përhapjen e zjarrit në një sipërfaqe edhe më të madhe.
Në zonë janë angazhuar disa mjete zjarrfikëse, ekipet e të cilave po punojnë për izolimin e vatrës dhe shuarjen e flakëve, me qëllim parandalimin e përhapjes së tyre drejt zonave të tjera.
Për shkak të tymit dhe rrezikut të krijuar, drejtuesit e mjeteve këshillohen të lëvizin me kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e autoriteteve deri në normalizimin e situatës.
Deri në këto momente nuk raportohet për persona të lënduar apo dëme në automjete, ndërsa shkaqet e zjarrit mbeten ende të paqarta dhe pritet të zbardhen nga autoritetet përkatëse.

