Sport

Shuhet në moshën 75-vjeçare legjenda e futbollit anglez, Kevin Keegan

Bota e futbollit është në zi. Kevin Keegan, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit anglez si lojtar dhe trajner, ka ndërruar jetë në moshën 75-vjeçare, pas një beteje me kancerin. Lajmi u konfirmua nga familja e tij përmes një deklarate zyrtare.

I lindur më 14 shkurt 1951 në Doncaster, Kevin Keegan e nisi karrierën profesionale te Scunthorpe United, por emrin e tij e skaliti në historinë e Liverpool-it, ku u transferua në vitin 1971 nën drejtimin e legjendarit Bill Shankly. Me fanellën e “The Reds”, ai fitoi tre tituj kampionë të Anglisë, Kupën FA, dy herë Kupën UEFA dhe kurorën e Kupës së Kampionëve Evropianë në vitin 1977.

Edhe si trajner, Keegan la gjurmë të rëndësishme. Në vitin 1992 mori drejtimin e Newcastle United dhe e shndërroi klubin në një nga ekipet më spektakolare të Anglisë. Në sezonin 1995/96 ishte shumë pranë fitimit të titullit kampion, por skuadra u mposht në garën dramatike nga Manchester United.

Në vitin 1999 ai mori drejtimin e kombëtares angleze, por u largua pas Euro 2000, pas rezultateve zhgënjyese dhe humbjes ndaj Gjermanisë në ndeshjen e fundit të zhvilluar në stadiumin e vjetër “Wembley”. Më pas drejtoi Manchester City, të cilin e riktheu në Premier League si kampion i Divizionit të Parë në vitin 2002. Në vitin 2008 u rikthye te Newcastle United, por aventura e dytë zgjati vetëm tetë muaj për shkak të mosmarrëveshjeve me drejtuesit e klubit.

Kevin Keegan do të mbahet mend si një nga figurat më karizmatike dhe të dashura të futbollit anglez. Kontributi i tij, si në fushë ashtu edhe në stol, ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e sportit. Pas lajmit për ndarjen e tij nga jeta, klube, ish-bashkëlojtarë, trajnerë dhe mijëra tifozë nga e gjithë bota kanë nisur t’i shprehin ngushëllimet familjes dhe të kujtojnë me respekt një prej ikonave të futbollit britanik.