Aktualitet

Alarm për stuhi të fuqishme në Ballkan, pritet breshër i madh dhe erëra shkatërruese

Ballkani Perëndimor pritet të përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të kushteve atmosferike, me një episod të fortë moti ekstrem që mund të sjellë stuhi të fuqishme në disa zona të rajonit.

Qendra Evropiane për Parashikimin e Stuhive ka ngritur në nivelin më të lartë të rrezikut (Niveli 3) alarmin për disa vende të Ballkanit, duke paralajmëruar për zhvillimin e fenomeneve të rënda atmosferike nga dita e martë deri në orët e para të së mërkurës.

Sipas ekspertëve, zonat më të prekshme pritet të jenë jugu i Kroacisë, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, Mali i Zi dhe Kosova. Shqipëria ndërkohë ndodhet në zonën e Nivelit 1 të rrezikut, ku priten reshje të dendura dhe stuhi lokale, por me një intensitet më të kufizuar.

Parashikimet tregojnë për mundësinë e krijimit të një sistemi të fuqishëm stuhish që do të zhvendoset nga Italia drejt Evropës Juglindore, duke prekur edhe vendet e Adriatikut. Meteorologët paralajmërojnë për zhvillimin e superqelizave dhe stuhive të organizuara, të cilat mund të shoqërohen me breshër me përmasa të mëdha, erëra shumë të forta dhe, në raste të rralla, formimin e tornadove.

Sipas analizave të motit, kushtet atmosferike në Ballkanin Perëndimor janë të favorshme për një shpërthim stuhish intensive. Sistemet që mund të formohen mbi Itali pritet të kalojnë Adriatikun dhe të sjellin në rajon episode të shkurtra, por me intensitet të lartë, përfshirë erëra të fuqishme, reshje të rrëmbyeshme dhe rrezik për dëme materiale.

Situata mund të zgjasë edhe gjatë natës, me mundësi për disa valë të njëpasnjëshme stuhish. Përveç Ballkanit, nivel i lartë rreziku është shpallur edhe për disa zona të Italisë, Rumanisë dhe Bullgarisë.

Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes dhe të ndjekin njoftimet zyrtare të motit, pasi kombinimi i breshrit të madh, erërave të forta dhe reshjeve intensive mund të shkaktojë përmbytje lokale dhe dëme të konsiderueshme.