Aktualitet

Kompanitë e tenderave dhe kullave bashkohen për të plaçkitur vlonjatët

Kompanitë e tenderave dhe kullave bashkohen për të plaçkitur vlonjatët. Projekti i dy kullave 23-24 katëshe “Luzaj Towers” në zonën e Ujit të Ftohtë (Lagja 7) në Vlorë po kthehet në një skandal të pastër të tjetërsimit të pronës. Hartat e projektit, skicat e detajuara të kantierit dhe pamjet me dron të siguruara nga banorët vërtetojnë skemën e zgjerimit të paligjshëm. Pasi kanë marrë një pjesë kompanitë ndërtuese tani po tentojnë të gllabërojnë një sipërfaqe shtesë prej 70 m² të shënuar me jeshile mbi oborret private. Përveç kësaj, në një skicë tjetër ata kanë hyrë dhe kanë bllokuar rrugën publike (për të cilën nuk dihen ende metrat e saktë katrorë). Nga ana tjetër, muret rrethuese po kërcënohen me shembje nga vetë kompanitë, të cilat u bëjnë presion banorëve se do të ndërhyjnë me polici për lirimin e hapësirës, pavarësisht se qytetarët disponojnë dokumentacion të rregullt pronësie. Ndërkohë, rrjeti i kanalizimeve të lagjes është shkatërruar dhe pusetat janë thyer, duke e kthyer zonën në një kantier kaotik që punon jashtë çdo orari dhe pa asnjë masë sigurie. Nga hartat e projektit dhe skicat e detajuara të kantierit, të cilat banorët i kanë siguruar, vërtetohet devijimi dhe zgjerimi i paligjshëm: Pjesa me ngjyrë blu (në formë “L”): Tregon kufirin që kompanitë “DAKZ sh.p.k.” dhe “EN Construction sh.p.k.” kanë marrë dhe rrethuar tashmë. Pjesa e parë me ngjyrë jeshile (ngjitur me “L”-në blu): Tregon tentativën konkrete për të marrë sipërfaqen prej 70 m² direkt mbi oborret private të shtëpive rrethuese që kanë dokumentacion të rregullt pronësie. Pjesa tjetër me ngjyrë jeshile (te skica pa rrethim blu): Tregon zonën e rrugës publike ku kantieri ka hyrë dhe po zgjerohet duke bllokuar kalimin e banorëve të tjerë të zonës (për të cilën nuk dihen ende metrat e saktë katrorë). Ky zgjerim i dyfishtë ndryshon plotësisht kufijtë e lejes fillestare të KKT-së (Nr. 05/12, datë 25.11.2025). Përveç kësaj, kantieri po punon pa rrethim të duhur sigurie, duke thyer pusetat dhe dëmtuar rrjetin e kanalizimeve. Policia lokale, pavarësisht thirrjeve të vazhdueshme të banorëve, ka refuzuar të ndërhyjë apo të pezullojë punimet e paligjshme. Tabela zyrtare e vendosur në kantier tregon qartë lejen e ndërtimit: Nr. 05/12, datë 25.11.2025 për “Kompleks Rezidencial, Shërbime dhe Hoteleri 1, 2, 23-24 kate mbi tokë, me 3 kate parkim dhe shërbime nëntokë”. Por kush janë “ujqërit” e vërtetë të këtij projekti që kanë si arkitekt studion e famshme austriake “Coop Himmelb(l)au” dhe si projektues lokal “Atelier 4”? EN Construction sh.p.k. (NIPT: M36808207V) E themeluar më: 07/06/2023 në Vlorë. Pronarët aktualë: Arben Prrenjasi (~33.4%), Agron Hyseni (~33.3%), dhe Bernard Caushaj (~33.3%). Lidhjet e dyshimta: Kjo kompani ka pësuar ndryshime të shumta pronësie me transferime kuotash dhe hyrje-dalje ortakësh ku shfaqen emra si Gramoz Qëndro (i lidhur me “Eral Construction” dhe Afrim Qëndron), Oksana Sako, Klaudio Caushaj etj. Administrator aktual është Eraldo Buzo. Lidhja direkte me Erion Veliajn dhe skemat e “Eral Construction” .Lidhja mes projektit të Vlorës dhe Bashkisë së Tiranës bëhet e qartë përmes emrave të pronarëve dhe lëvizjes së kuotave: Kompania bashkëndërtuese në Vlorë, “EN Construction sh.p.k.”, ka pasur ndryshime të shpeshta në strukturën e saj të pronësisë, ku si ortak ka hyrë dhe ka dalë shtetasi Gramoz Qëndro. Gramoz Qëndro, së bashku me Ervin Qëndron, janë pronarët e “Eral Construction Company”, një kompani e denoncuar vazhdimisht nga JOQ si “biznes-maska” e Afrim Qëndros (ish-drejtor i ARRSH-së dhe njeri i afërt me pushtetin). “Eral Construction” ka qenë një nga përfituesit më të mëdhenj të parave publike nga Bashkia e Tiranës e drejtuar nga Erion Veliaj. Kjo kompani ka marrë mbi 215 tendera me vlerë rreth 19 milionë euro (plus 3 milionë euro për goma dhe pjesë këmbimi). JOQ ka ekspozuar më parë se si kjo kompani merrte tendera direkt nga Veliaj për rikonstruksione zyrash (si ai me vlerë mbi 17 milionë lekë) dhe punime të tjera publike, shpesh në mungesë të plotë të konkurrencës ose me vlerë oferte pothuajse 100% të fondit limit, një shkelje e hapur e rregullave të prokurimit publik. Dokumentet e fundit tregojnë se në këtë kompani zotëron rreth 43.6% të kuotave shtetasi Shkëlqim Beshiri. Shkëlqim Beshiri është pronar i kompanisë “Klar sh.p.k.”, e cila ka marrë lejen për ndërtimin e kullës gjigante 65-71 kate te Bulevardi i Ri në Tiranë. Për këtë kullë në Tiranë, mediat investigative kanë denoncuar se leja e firmosur nga Edi Rama dhe e mbështetur nga strukturat e Erion Veliajt ka shërbyer si një “qokë” apo pazar i heshtur mes qeverisë dhe familjes Berisha (pasi Beshiri njihet për lidhje të ngushta me Shkëlzen Berishën). Beshiri po ashtu ka qenë i përfshirë në çështje të dyshimta të tjetërsimit të pronave në zonat më të lakmueshme të bregdetit si Ksamil dhe Orikum. Tashmë, përmes DAKZ-së, ai po zbaton të njëjtën skemë zgjerimi mbi pronat e qytetarëve edhe te “Luzaj Towers” në Vlorë. Ndërsa “Eral” përqendrohej te tenderat rrugorë dhe infrastrukturorë në Tiranë, pjesa tjetër e rrjetit ka marrë leje për kulla gjigante në bashkëpunim të të dyja palëve politike: Klar sh.p.k. (në pronësi të Shkëlqim Beshirit): Ka marrë lejen për ndërtimin e kullës monstruoze 65-71 kate te Bulevardi i Ri në Tiranë. Media investigative dhe denoncimet publike e lidhin Beshirin me Shkëlzen Berishën, duke vënë në dukje se Rama e ka firmosur këtë leje si një “qokë” të heshtur politike për familjen Berisha. DAKZ sh.p.k. (ku Shkëlqim Beshiri kontrollon rreth 43.6% të kuotave): Bashkëpunon direkt me “EN Construction” në projektin e Vlorës. Beshiri, i cili ka shtrirë ndikimin e tij në çështje pronash në bregdet (Ksamil, Orikum), tashmë po përdor të njëjtën skemë të ndryshimit të kufijve edhe në Ujin e Ftohtë. Ndarja e roleve është e pastër: Eral Construction përfaqëson linjën “Rama-Veliaj” për përfitimin e tenderave publike, ndërsa DAKZ, EN dhe Klar përfaqësojnë “pazarin e heshtur Rama-Berisha” për lejet e kullave luksoze. Të dyja krahët e politikës përfitojnë, ndërsa qytetarët humbasin pronat e tyre. Aktiviteti i këtij rrjeti mbart një histori të gjatë shkeljesh ligjore të denoncuara më parë nga JOQ Albania: Skandali i Unazës së Re (Astiri): Afrim Qëndro, figura kyçe pas bizneseve të familjes Qëndro, ka qenë i përfshirë drejtpërdrejt në projektin e Astirit ku u përdorën dokumente të falsifikuara (rasti “DH Albania”), projekt që solli përplasje të forta me banorët e zonës. “Eral Construction” ka qenë vazhdimisht e skeduar në portalet e monitorimit të prokurimeve publike për eliminim të padrejtë të operatorëve konkurrues në tenderat e Bashkisë Tiranë.Sikurse po ndodh në Vlorë me dëmtimin e pusetave dhe kanalizimeve, edhe në Tiranë këto kompani janë denoncuar për shkelje të distancave të sigurisë nga rruga dhe ndotje pa u ndëshkuar asnjëherë nga inspektoriatet e Veliajt. Ndërsa Rama dhe Berisha shajnë njëri-tjetrin në ekranet televizive, institucionet e tyre në terren u hapin rrugën të njëjtëve njerëz për të ndërtuar kulla mbi oborret e  qytetarve.