Zbardhen vendimet e Qeverisë/ Miratohen ndihmat për familjet e policëve të rënë në detyrë, Shqipëria do të dërgojë në Gaza oficerë ushtarakë
Janë zbardhur vendimet e Qeverisë që u morën sot, përfshirë ndihmat për familjet e policëve të rënë në krye të detyrës dhe dërgimin e forcave ushtarake në Gaza.
Ministri i Punëve të Brendshme, Besfort Lamallari, deklaroi se familjet e policëve të rënë në detyrë do të përfitojnë paga e pension familjar, dhe jo vetëm.
“Janë miratuar dy vendime të rëndësishme. Vendimi i cili përcakton masën dhe procedurat për punonjësit e policisë. Shpërblimi dhe mbështetja që duhet të marrin punonjësit që janë plagosur gjatë ushtrimit të detyrës. Lajm i mirë për vetë faktin se trajton të gjithë elementët e nevojshëm si nga ndihma e menjëhershme që i’u jepet familjarëve të policëve të rënë në krye të detyrës.
Ndihma e menjëhershme shkon deri në 10 paga mujore bruto të punonjësit të ndjerë të punonjësit, pension familjar, bursa të plota për fëmijët dhe punësimi me prioritet i familjarëve të punonjëse të policisë që kanë rënë në detyrë. Edhe banesat falas për bashkëshortet dhe fëmijët e mitur që do të përfitojnë banesa të ndërtuara nga Enti Kombëtar apo ato që vijnë nga projekte si edhe banesa që janë konfiskuar nga krimi i organizuar”, tha Lamallari.
“Javën që vjen, do të marrim vendimin, Shqipëria ka marrë një angazhim dhe lidhet me faktin që do të dërgojmë oficerë të shtabit në Gaza. Shqipëria do të jetë pjesë e këtyre trupave, kemi bërë një shqyrtim të rrethanave në Gaza dhe do të dërgojmë oficerët e shtabit. Samiti i NATO-s është vendosur që do të zhvillohet në Shqipëri. Në lidhje me zhvillimin e samiteve vendosen nga krerët e shteteve. Samiti do të zhvillohet në 2027, ose jo, kjo gjë do të merret nga krerët e shteteve anëtare“, tha ministri Nufi.

