Opinion

Parlament apo zyrë noteriale që vulos vendimet e qeverisë

*Deklarata e deputetes të Partisë së Lirisë, Znj. Erisa Xhixho.*

Të nderuar qytetarë!

Qeveria shqiptare vazhdon të ndjekë skenarin e saj të faktit të kryer, duke e kthyer Parlamentin në një institucion formal, që vetëm vulos vendimet e qeverisë.

Nesër zhvillohet seanca e fundit e këtij sesioni parlamentar dhe në rendin e ditës janë plot 33 pika.

Mes tyre janë raportimet e institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, KLGJ, ILD, KLP dhe SPAK, institucione që kërkojnë debat të thelluar mbi veprimtarinë e tyre, problematikat që hasin dhe mënyrën se si ushtrojnë përgjegjësitë kushtetuese. Transparenca përballë qytetarëve kërkon seanca të dedikuara, jo raportime të kaluara me nxitim.

Në të njëjtën seancë janë përfshirë edhe dhjetëra projektligje me ndikim të drejtpërdrejtë për qytetarët, si edhe dy akte normative që prekin Buxhetin e Shtetit.

Përse gjithë kjo ngutje?

Sepse qëllimi i vetëm i maxhorancës është që këto çështje të mos debatohen siç duhet, të mos analizohen dhe të kalojnë pa vëmendjen që meritojnë nga opinioni publik.

Kjo mënyrë funksionimi është e turpshme. Kuvendi është shndërruar në një noter të qeverisë, ku ligjet kalojnë me porosi dhe sipas interesave të klientëve të saj, jo sipas interesit publik.

Dhe kjo ndodh në një kohë kur Bashkimi Europian kërkon pikërisht të kundërtën.

Edhe në vlerësimet e fundit të procesit të integrimit, është theksuar nevoja që Parlamenti të ushtrojë realisht funksionin e kontrollit ndaj qeverisë, që ligjvënia të zhvillohet përmes procedurave transparente, me cilësi të lartë, me konsultim real dhe debat gjithëpërfshirës.

Në vend të standardit europian, kjo maxhorancë ofron ligjbërje me porosi, konsultime publike fiktive dhe një Parlament që nuk kontrollon qeverinë, por i shërben asaj.

Mjafton të shohim se çfarë po ndodh edhe me procesin e konsultimit publik.

Gjatë muajve të verës, kur vëmendja e publikut është më e ulët, ministritë kanë hedhur për konsultim publik dhjetëra projektligje me rëndësi.

Nga 1 qershori e deri më sot janë publikuar 30 projektligje.

Vetëm Ministria e Financave ka nxjerrë për konsultim 12 projektligje, Ministria e Mjedisit 6, Ministria e Bujqësisë 3, Ministria e Drejtësisë 2, Ministria e Ekonomisë 2 dhe Ministria e Arsimit 1.

Konsultimi publik është reduktuar në një procedurë formale, pa ndikim real në përmbajtjen e ligjeve. Mendimet e qytetarëve, ekspertëve dhe grupeve të interesit nuk reflektohen, sepse vendimet janë marrë paraprakisht.

Po aq domethënës është edhe fakti se në seancën e nesërme nuk janë përfshirë projektligjet e opozitës, të cilat pasqyrojnë kërkesat e qytetarëve që prej 53 ditësh protestojnë në mbrojtje të pronës publike, mjedisit dhe trashëgimisë kombëtare.

Maxhoranca ka refuzuar të fusë në rendin e ditës:

* projektligjin për shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura;
* projektligjin për shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike;
* projektligjin për shfuqizimin e Paketës së Maleve;
* projektligjin për shfuqizimin e disa dispozitave të ligjit për trashëgiminë kulturore.

Pra, ndërsa ligjet e qeverisë kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe pa debat, nismat e opozitës që burojnë nga kërkesat e qytetarëve mbahen të bllokuara.

Ky nuk është parlamentarizëm. Ky nuk është standard europian. Ky është një model ku shumica përdor numrat për të mbyllur gojën e opozitës, për të shmangur debatin dhe për të miratuar ligje pa transparencë e pa llogaridhënie.

Ne e denojmë këtë praktikë dhe kërkojmë që Kuvendi të rikthehet në funksionin e tij kushtetues: të kontrollojë qeverinë, të garantojë debat të hapur dhe të miratojë ligje në interes të qytetarëve, jo të pushtetit.

Faleminderit!