Aktualitet

Shoqata Shqiptare e Bankave hap garën për Sekretar të Përgjithshëm

Shoqata Shqiptare e Bankave (AAB) ka hapur zyrtarisht procedurat për përzgjedhjen e Sekretarit të Përgjithshëm, ndërkohë që sekretari aktual, Spiro Brumbullit, drejton organizatën që prej prillit të vitit 2016.

Përmes shpalljes së publikuar për pozicionin, AAB fton kandidatët e interesuar të aplikojnë deri më 31 gusht 2026, ndërsa Sekretari i ri i Përgjithshëm do të zgjidhet nga Bordi Mbikëqyrës i Shoqatës. Sipas statutit, ky funksionar është organi ekzekutiv dhe përfaqësuesi kryesor i Shoqatës, me përgjegjësi për menaxhimin e përditshëm të aktivitetit, zbatimin e strategjisë, koordinimin me bankat anëtare dhe përfaqësimin e sektorit bankar përballë institucioneve shtetërore dhe organizmave ndërkombëtarë.

Spiro Brumbulli u emërua Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave në prill të vitit 2016 dhe gjatë një dekade ai ka shërbyer në favor të dialogut institucional mes industrisë bankare, Bankës së Shqipërisë, qeverisë dhe partnerëve ndërkombëtarë. Në këtë periudhë, sektori bankar ka kaluar një sërë reformash të rëndësishme, duke përfshirë uljen e kredive me probleme, dixhitalizimin e shërbimeve bankare, zhvillimin e pagesave elektronike dhe afrimin gradual të kuadrit rregullator me standardet e Bashkimit Evropian.

Profili i kërkuar për sekretarin e përgjithshëm tregon se AAB synon një drejtues me eksperiencë të konsiderueshme në sektorin bankar ose në rregullimin financiar. Kandidati duhet të ketë të paktën 12–15 vite eksperiencë profesionale dhe minimumi 5 vite në pozicione të larta drejtuese në banka, autoritete rregullatore, shoqata bankare ose institucione financiare ndërkombëtare. Gjithashtu kërkohet njohuri e thelluar mbi rregulloret bankare, procesin e integrimit evropian dhe aftësi për të përfaqësuar sektorin në forume kombëtare dhe ndërkombëtare.

Në statut theksohet se Sekretari i Përgjithshëm është përgjegjës për drejtimin strategjik dhe administrativ të Shoqatës, koordinimin e komiteteve teknike, përgatitjen e programeve të punës dhe buxhetit, zhvillimin e marrëdhënieve me Bankën e Shqipërisë, Ministrinë e Financave, Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare dhe institucione të tjera, si edhe përfaqësimin publik të interesave të industrisë bankare. Ai nuk  ka mandate, por funksionon me një kontratë.

Procesi i aplikimit parashikon dorëzimin e një CV-je në shqip dhe anglisht, një letre motivimi, një vizioni për drejtimin e Shoqatës dhe referencat profesionale. Aplikimet do të pranohen deri më 31 gusht 2026, ndërsa vetëm kandidatët e përzgjedhur do të kontaktohen për fazat e mëtejshme të procesit. /ekofin.al