Spanja dhe Franca po digjen/ Zjarret detyrojnë mbi 250 mijë banorë të braktisin shtëpitë, boshatisen qytetet
Franca dhe Spanja përballen me valën më të rëndë të zjarreve në historinë e tyre të fundit, ndërsa mbi 250 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat.
Flakët vazhdojnë të përhapen me shpejtësi për shkak të temperaturave të larta, thatësirës dhe erërave të forta, pavarësisht angazhimit të qindra zjarrfikësve dhe mjeteve ajrore.
Në Francë, autoritetet kanë evakuuar rreth 197 mijë banorë në zonat pranë Bordosë, ku po zhvillohet zjarri më i madh i regjistruar ndonjëherë në vend. Vetëm në gadishullin Cap Ferret janë larguar rreth 44 mijë persona, shumë prej tyre me mjete lundruese, ndërsa mbi 50 banesa janë shkatërruar.
Presidenti Emmanuel Macron ka urdhëruar angazhimin e ushtrisë dhe ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian për përballimin e situatës. Edhe Spanja po përjeton një emergjencë të paprecedentë. Mbi 70 mijë banorë janë evakuuar nga zonat në perëndim të Madridit, ku dy vatra të mëdha janë bashkuar në një zjarr të vetëm që autoritetet e konsiderojnë aktualisht të pamundur për t’u vënë nën kontroll.
Kryeministri Pedro Sánchez deklaroi se prioritet absolut mbetet shpëtimi i jetëve dhe mbrojtja e zonave të banuara, duke paralajmëruar se orët në vijim do të jenë vendimtare për shkak të erërave të forta. Në Francë janë angazhuar rreth 1 mijë ushtarakë dhe një avion transporti ushtarak i pajisur për hedhjen e lëndëve kundër flakëve, ndërsa Bashkimi Evropian ka dërguar avionë zjarrfikës në të dy vendet.
Deri tani, rreth 22 mijë hektarë janë djegur në Francë, ndërsa vetëm në provincën Guadalajara në Spanjë flakët kanë përfshirë rreth 32 mijë hektarë.

