Aktualitet

Gjykata e Apelit Tiranë i jep 2.1 miliardë lekë Salillarit me shokë

Një tjetër tender me hije të forta dyshimi për fitues të paracaktuar dhe farsë publike është mbyllur së fundmi nga Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.

Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Rikonstruksion të godinës së ish-Degës së Tatimpaguesve të Mëdhenj, Zona Kadastrale 8150, me numër pasurie 6/227, Tiranë, në përdorim të Gjykatës së Apelit”.

Fondi limit i caktuar nga autoriteti kontraktues ishte 185,218,365.83 lekë pa TVSH ose rreth 2.22 miliardë lekë të vjetra me TVSH.

me TVSH.

Në përfundim të procedurës, fitues është shpallur Bashkimi i Operatorëve Ekonomikë ALGES KONSTRUKSION sh.p.k. në pronësi të Mozart Çelës – 58%, në bashkëpunim me INERTI sh.p.k. në pronësi të Florjan e Halil Muha – 42%, të cilët janë mbështetur mbi kapacitetet e kompanisë SALILLARI sh.p.k. të Pëllumb Salillarit.

Oferta e shpallur fituese kap vlerën e 180,583,920.83 lekë pa TVSH, e cila me TVSH arrin në shifrën marramendëse prej 216,700,705 lekësh ose mbi 2.16 miliardë lekë të vjetra.

Llogaritja e shifrave zbulon se fituesit i është falur tenderi në masën 97.5% të fondit limit.

Farsa e tenderit: Ofertat e ndara me “qindarka” për të mbuluar garën

Se sa e paracaktuar ka qenë e gjithë procedura tregon qartë diferenca qesharake mes dy vetëm kompani-pjesëmarrëseve. Në tender ka marrë pjesë vetëm një operator tjetër, ZEQILLARI CONSTRUCTION sh.p.k., me ofertën prej 182,440,090.34 lekë pa TVSH.

Të dyja ofertat janë pothuajse identike me njëra-tjetrën me diferencë prej vetëm 1% mes tyre dhe të dyja ngjitur pas tavanit të fondit limit. Kjo përputhje ‘kirurgjikale’ mes dy ofertave tregon qartë se “rivali” ka hyrë në garë vetëm për të plotësuar numrin dhe për t’i hapur rrugën konsorciumit të udhëhequr nga “ALGES KONSTRUKSION” dhe Salillari, që të futin në xhep mbi 2.1 miliardë lekë nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.