Gratë me cikël në Mal të Zi do të marrin dy ditë pushim të paguar!
Deputetët e Malit të Zi kanë miratuar ndryshimet në Ligjin për Sigurimin Shëndetësor, duke u dhënë grave të diagnostikuara me dismenorre sekondare të drejtën për dy ditë leje të paguar në muaj. Nisma u propozua në mars nga deputetja e pavarur Jevrosima Pejoviq dhe mori mbështetje unanime në Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale, si dhe në Komisionin Legjislativ.
Sipas ndryshimeve ligjore, kjo e drejtë u takon grave që vuajnë nga cikle menstruale të dhimbshme të shkaktuara nga patologji të diagnostikuara, si endometrioza, miomat, polipet endometriale, inflamacioni i vezoreve apo vezoret policistike. Ligji e njeh këtë gjendje si paaftësi të përkohshme për punë, duke e trajtuar si pushim mjekësor të veçantë.
Diagnoza e dismenorresë sekondare do të përcaktohet nga një mjek specialist, ndërsa gratë e siguruara do të duhet të rinovojnë certifikatën mjekësore çdo vit deri më 31 dhjetor dhe ta dorëzojnë atë te punëdhënësi deri më 30 janar të vitit pasardhës. Sipas memorandumit shpjegues, ndryshimet synojnë të mbrojnë shëndetin e grave, të zvogëlojnë paragjykimet në vendin e punës dhe të krijojnë një ekuilibër mes mirëqenies dhe angazhimeve profesionale.

