Opinion

Ambasador Arben Cici: Beretat Jeshile zbarkojnë në Tiranë

Si sot 35 vjet më parë, më 1 tetor 1991, u rihap Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, një datë shumë e rëndësishme në marrëdhëniet dypalëshe e cila meriton të kujtohet denjësisht.

Dhe pikërisht pas një periudhe të gjatë pa ambasador të emëruar, Shtetet e Bashkuara sjellin në Tiranë një përfaqësues që nuk vjen vetëm nga diplomacia. Eric Wendt vjen nga një botë ku fjalët “mision”, “disiplinë”, “objektiv”, “përkushtim” dhe “përgjegjësi” kanë një kuptim krejt tjetër.

Për muaj me radhë, shqiptarët i kishin sytë nga Rruga e Elbasanit. Shqetësimi më i madh i tyre ishte se përse nuk po vinte ambasadori amerikan dhe kur do të vinte ai. Të gjithë prisnin me padurim ambasadorin.

Në imagjinatën shqiptare, ambasadori amerikan ende vazhdon të ngjajë me një personazh misterioz që vjen me një valixhe, një kostum të bukur, disa deklarata të forta dhe, pse jo, me një shkop magjik për të zgjidhur problemet që ne nuk kemi mundur t’i zgjidhim për dekada.

Uji? Të rregullohet.

Siguria ushqimore? Të rregullohet.

Arsimi? Të rregullohet.

Shëndetësia? Të rregullohet.

Pensionet? Të rregullohen.

Ambienti? Të rregullohet.

Trafiku? Të rregullohet.

Drejtësia? Ah, kjo është histori më vete.

Dhe mbi të gjitha korrupsioni, kjo gangrenë që ka hyrë aq thellë në marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit, saqë për shumë shqiptarë fjala “drejtësi” tingëllon ende si një derë që ekziston, por që është gati e pamundur të gjejnë çelësin, ose si një thupër që fshikullon në ajër dhe vetëm zhurma e saj shkon te themelet e piramidës shtetërore.

Më në fund, Ambasadori mbërriti në Tiranë. Zelli dhe padurimi i shtetarëve tanë të lartë për të treguar besnikëri ndaj partnerit më të fuqishëm strategjik, si edhe malli i pakufishëm për të takuar ambasadorin amerikan, u shpalosën menjëherë, duke i caktuar ceremoninë e paraqitjes së letrave kredenciale pikërisht të nesërmen e mbërritjes së tij në tokën shqiptare, pavarësisht se ishte ditë e shtunë gjatë të cilës padyshim i qartësuan edhe arsyet e pamundësisë së një takimi protokollar, në ditët në vijim, me ministren e dekretuar shqiptare “Diella”.

Pra, mirë se erdhe, zoti Ambasador!

Cili është në të vërtetë Eric Wendt?

Ambasadori i ri amerikan, ndryshe nga pothuajse të gjithë pararendësit e tij, nuk vjen në Tiranë nga një karrierë klasike diplomatike. Ai vjen nga ushtria amerikane. Dhe jo thjesht nga ushtria.

Eric Wendt është gjeneral-lejtnant në pension i Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara. Ai ka shërbyer për më shumë se tri dekada në ushtrinë amerikane dhe ka një karrierë të gjatë në Forcat Speciale të SHBA-së, të njohura si “Green Berets”, ose “Beretat Jeshile”. Ai ka qenë komandant i Komandës së Operacioneve Speciale të NATO-s, duke shërbyer në detyra të ndryshme komanduese dhe operacionale në Afganistan dhe Irak, si edhe në struktura të rëndësishme të operacioneve speciale amerikane dhe të NATO-s në Lindjen e Mesme.

Pra, Ambasadori i ri amerikan ka kaluar pjesën më të madhe të karrierës së tij në botën e Forcave Speciale.

Dhe kjo nuk është një dekoratë; është një shkollë, një përvojë, një jetë ndryshe.

Po çfarë janë Beretat Jeshile?

“Green Berets” janë pjesëtarët e Forcave Speciale të Ushtrisë amerikane, jo një emërtim i përgjithshëm për të gjitha forcat speciale amerikane. Bereta jeshile që ata mbajnë, në nuancën “Rifle Green” të ushtrisë, kodi 297, ishte prej leshi dhe u miratua zyrtarisht si pjesë e uniformës së Forcave Speciale në dhjetor të vitit 1961. Më 11 prill 1962, në një memorandum të Shtëpisë së Bardhë drejtuar Ushtrisë së Shteteve të Bashkuara, Presidenti Kennedy i vlerësoi ato duke i cilësuar: “Bereta jeshile është simbol i përsosmërisë, shenjë guximi dhe dallueshmërie në luftën për liri.”

Misionet e tyre përfshijnë luftën jokonvencionale, mbrojtjen e partnerëve, zbulimin special, kundërterrorizmin, asistencën ndaj forcave të sigurisë dhe trajnimin e forcave partnere. Ata trajnohen për të vepruar në mjedise të vështira, për të punuar me partnerë vendas, për të kuptuar terrenin, kulturën dhe rrethanat lokale dhe, mbi të gjitha, për të përmbushur misionin.

Nuk janë domosdoshmërisht njerëzit që bëjnë zhurmën më të madhe dhe kërkojnë ceremoni.

Pikërisht e kundërta.

Beretat Jeshile lidhen me disiplinën, përshtatshmërinë, profesionalizmin dhe aftësinë për të vepruar në situata ku gjërat nuk janë bardhë e zi.

Dhe këtu metafora bëhet interesante për Shqipërinë.

Sepse ambasadori Wendt nuk vjen në një vend ku mungojnë problemet, por në një vend ku problemet janë të njohura, madje edhe të mprehta. Si për rastësi, ai vjen në çastet kur siguria kombëtare e një vendi anëtar të NATO-s është përfshirë në një nga skandalet më të mëdha të historisë së saj.

Por kush duhet të shqetësohet nga Beretat Jeshile në Tiranë?

Jo qytetari i zakonshëm.

Jo ai që shkon në punë çdo mëngjes.

Jo pensionisti që pret radhën.

Jo studenti që kërkon një mundësi.

Jo polici i ndershëm dhe i përkushtuar.

Jo profesionisti i shtresës së mesme që, me biletë në dorë, shtyhet të largohet nga ky vend.

Jo biznesmeni që paguan taksat dhe nuk kërkon trysni për të punuar.

Jo protestuesit që prej katër muajsh qëndrojnë shembullisht në bulevard.

Nëse ka njerëz që duhet ta ndiejnë më fort peshën e fjalëve “luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, që me shumë forcë u theksuan gjatë dëgjesës së Ambasadorit në Senat, janë ata që e kanë kthyer shkeljen e ligjit në mënyrë jetese.

Ata që mendojnë se pushteti është pronë personale.

Ata që besojnë se një telefonatë zgjidh gjithçka.

Ata që mendojnë se një tender mund të shkruhet përpara se të hapet.

Ata që pasurohen duke administruar pasurinë publike.

Ata që besojnë se drejtësia është për të tjerët.

Ata që mendojnë se lidhjet politike janë më të forta se ligji.

Dhe ata që, pasi kanë kaluar vite duke i shpëtuar përgjegjësisë, kanë filluar të mendojnë se nuk do t’u ndodhë kurrë asgjë.

Megjithatë, ndoshta nuk duhet të harrojmë se:

Beretat Jeshile nuk janë policia shqiptare dhe as “Sherifi i New York-ut”. Ambasadori amerikan nuk është prokuror shqiptar dhe Shtetet e Bashkuara nuk vijnë në Shqipëri për të bërë detyrat e institucioneve shqiptare.

Por politika e jashtme amerikane ka mjete të tjera: diplomacia në të gjitha përmasat e saj, bashkëpunimi institucional, marrëdhëniet e sigurisë, shkëmbimi i informacionit, bashkëpunimi ndërkombëtar dhe mbështetja për institucionet që luftojnë korrupsionin dhe krimin, nëpërmjet të cilave Bereta Jeshile Wendt do të përpiqet të realizojë prioritetet për të cilat është mandatuar.

Dhe kjo mund të jetë shumë më e rëndësishme sesa një shkop magjik.

Shqipëria nuk ka nevojë për një superhero amerikan, por për institucione shqiptare që funksionojnë.

Nuk ka nevojë për një ambasador që të zëvendësojë prokurorin, por për prokurorë të ndershëm që nuk zëvendësohen nga politika.

Nuk ka nevojë për një ambasador që të zëvendësojë gjykatësin, por për gjykatës të drejtë që gjykojnë sipas ligjit.

Nuk ka nevojë që ambasadori të luftojë korrupsionin në vend të shqiptarëve, por që korrupsioni të mos luftojë më institucionet shqiptare.

Një njeri që ka kaluar pjesën më të madhe të jetës në uniformë, në një forcë të trajnuar për misione të vështira, tani vjen të bëjë diplomaci.

Ambasadori Wendt do të veshë kostumin e diplomatit. Do të pritet me tapet të kuq. Do të shtrëngojë duar. Do të takojë politikanë të lartë të veshur spicë. Do të marrë pjesë në pritje. Do të bëjë fotografi. Do të flasë për miqësinë shqiptaro-amerikane.

Por pas kostumit është një karrierë prej më shumë se tri dekadash në Forcat Speciale, një shpirt dhe një mendje që kupton frikën që fshihet pas një shtrëngimi duarsh, nënqeshjen pas një buzëqeshjeje, shpirtin e kalbur brenda një kostumi të shtrenjtë, të vërtetën e një komplimenti të shtirur, maskën e radhës së megalomanisë, narcisizmin injorues, por mbi të gjitha hipokrizinë përulëse që ka infektuar prej vitesh, epidemikisht, piramidën politike shqiptare.

Por nuk është kjo Shqipëria e vërtetë, as ajo që do të mund të lexojë në kabllogramet diplomatike Ambasadori Wendt.

Shqipëria e vërtetë janë përqafimet në Fushë-Krujë të Presidentit Bush, janë ushtarakët tanë në misionet jashtë, janë flamingot në rrugët e Tiranës, janë “Taxi Driver”-at e natës në Tiranë dhe periferitë larg ndriçimit verbues të cipës së pikturës së rreme të kullave shumëkatëshe.

Prandaj, mirë se erdhe në Shqipëri, Ambasador Wendt!

Besoj shumë fort se Bereta Jeshile do të mbetet busulla për t’u orientuar drejt nëpër mjegullën e dendur, dehëse dhe makiavelike të politikës shqiptare, në mënyrë që ndoshta disa njerëz në këtë vend të fillojnë të shohin me më pak shkujdesje nga Rruga e Elbasanit.

Jo nga frika e ambasadorit, por nga frika shumë më e shëndetshme se një ditë ligji mund të fillojë të funksionojë vërtet.

Dhe kjo, për një shoqëri demokratike, do të ishte lajmi më i mirë nga të gjithë.

Beretat Jeshile kanë zbarkuar në Tiranë. Tani radha është e institucioneve shqiptare të tregojnë nëse janë gati për misionin.

Këto janë fjalët modeste të dikujt që i do vërtet Shtetet e Bashkuara, por më shumë do atdheun e vet, Shqipërinë.