Aktualitet

Banorët e Divjakës KUNDËRSHTOJNË për të 14-ën ditë bashkimin me Lushnjen, i bëjnë thirrje administratës të marrë pjesë në protestë

Për të 14-ën ditë radhazi, banorët e Divjakës kanë protestuar edhe mbrëmhen e sotme në kundërshtim të propozimit të socialistëve për hartën e re territoriale, e cila parashikon shkrirjen e 15 bashkive, mes të cilave edhe ajo e Divjakës, e cila parashikohet të bashkohet me Lushnjen.

Me thirrjet e përnatshme “Divjakë bashki”, qytetarët e Divjakës kanë deklaruar se harta e re territoriale do u vështirësonte atyre marrjen e shërbimeve. Qytetarët kanë kërkuar po ashtu dorëheqjen e kryetarit të bashkisë, Josif Gorrea.

Banorët më tej u kanë kërkuar këshilltarëve të Këshillit Bashkiak të kundërshtojnë reformën territoriale.

“Të mendojnë për njerëzit e Divjakës. Anëtarët e këshillit do të bëjnë histori nesër, jo të fshihen si minjtë. Të mendojnë për këta fëmijët e vegjël dhe për ne. Nesër anëtarët e Këshillit duhet të bëjnë histori. Mos të flenë gjumë, se nuk i mban Edi Rama ata. Se do ua marrin edhe shtëpitë”, tha mes të tjerash një protestues.

Ndërsa një tjetër u shpreh: “14 ditë rezistencë e qytetari nga Divjaka. Ku është administrata që vijon të paguhet edhe tani, edhe këto ditë? Dalja juaj në shesh është vetëm për të fituar. Nëse ndonjëri prej ju e ndjen realisht se i shërben dhe duhet t’i shërbejë atij institucioni që i jep këtyre qytetarëve shërbimin pranë vendbanimit, atëherë duhet të dilni në shesh”