Bota

Bashkimi Europian gjobit platformën “Temu” me 200 milionë euro për tregtimin e produkteve të rrezikshme online

Bashkimi Europian ka vendosur një gjobë prej 200 milionë eurosh për platformën online kineze Temu, pasi u konstatua se kompania shiste produkte të paligjshme dhe potencialisht të rrezikshme për konsumatorët, përfshirë lodra për bebe dhe karikues të defektuar.

Komisioni Europian njoftoi se kompania “dështoi të identifikojë, analizojë dhe vlerësojë me kujdes rreziqet sistemike” që lidhen me produktet e saj, duke rrezikuar sigurinë e konsumatorëve. Temu është nën hetim që nga tetori 2024 për përmbushjen e detyrimeve si Platformë Shumë e Madhe Online (VLOP) sipas ligjeve të BE-së.

Hetimi përfshiu një testim të tipit “mystery shopping” nga një organizatë e pavarur, që zbuloi se një përqindje e madhe e karikuesve nuk kalonin testet bazë të sigurisë elektrike. Po ashtu, shumë lodra për bebe përmbanin kimikate mbi kufijtë ligjorë ose pjesë të vogla që mund të shkaktonin mbytje.

Përveç gjobës, Temu duhet të paraqesë një plan veprimi për të adresuar shkeljet deri më 28 gusht, ndërsa Komisioni ka dy muaj për të vendosur nëse kompania ka përmbushur kërkesat.

Komisionerja për teknologjinë në BE, Henna Virkkunen, tha se vendimi dërgon një “mesazh shumë të fortë” për kompaninë. Ndërkohë, zëdhënësi i Temu deklaroi se kompania respekton rregullat, por gjoba lidhet me situatën e vitit 2024 dhe e konsideron atë të papërpjesëtueshme.

Organizata britanike e konsumatorëve Which? e përshëndeti vendimin dhe kërkoi që Mbretëria e Bashkuar të përdorë të njëjtat mekanizma ligjorë për të mbajtur platformat online përgjegjëse për produktet e rrezikshme.

Kjo është vetëm gjoba e dytë nën Digital Services Act të BE-së, ku e para ishte 120 milionë euro ndaj rrjetit social X, në pronësi të Elon Musk, vitin e kaluar.