Beqir Sina: Kardinali Ernest Troshani celebron Meshën para mijëra besimtarëve në Kishën Katolike “Zoja e Shkodrës”
Nga Beqir SINA – Kisha Katolike “Zoja e Shkodrës”, Hartsdale – New York
Eminenca e Tij, Kardinali Ernest Simoni Troshani, celebroi sot në mesditë Meshën e Shenjtë të së dielës në Kishën Katolike shqiptare “Zoja e Shkodrës” në Hartsdale, New York.
Më shumë se një mijë besimtarë u bashkuan në lutje me kardinalin 97-vjeçar, i cili mbijetoi burgjet dhe punën e detyruar të regjimit komunist dhe mbetet dëshmitar i gjallë i besimit.
Kisha u mbush deri njerëzit qendruan edhe në këmbë. Familje nga New York, Westchester, Yonkers, dhe rrethinat u gjunjëzuan në banka duke u lutur, ndërsa ballkoni i sipërm u mbush plot me besimtar.
Fëmijë, prindër dhe të moshuar u lutën krah për krah. Meshën e shoqëroi famullitari Dom Pjetër Popaj së bashku me klerin e famullisë dhe shërbestarët e vegjel.
Për të ndjekur Meshën kishin ardhur jo vetëm katolikë, por edhe shqiptarë të besimit mysliman e ortodoks, si dhe liderë të komunitetit. Duke e kthyer ceremonin kështu në një moment të rrallë uniteti për diasporën.
Në oborr, para statujës së Nënë Terezës dhe nën kumbanore besimtarët u mblodhën që herët. Afër kishës në oborrin e saj qëndron statuja e Skënderbeut mbi kalë, simbol i qëndresës që përkon me jetën e vetë kardinalit.
Brenda, dritaret me xhama me ngjyra të Kryqëzimit dhe altari i zbukuruar me lule të bardha e kthyen Meshën në një moment solemn.
Kardinali Troshani u arrestua në Natën e Krishtlindjeve 1963, pasi celebron Meshë për Presidentin John F. Kennedy. U dënua me vdekje, por dënimi u kthye në 18 vjet burg e punë të rëndë në miniera e kampe.
Papa Françesku e quajti “dëshmitar të gjallë të faljes” dhe e bëri kardinal në vitin 2016.
Prania e tij sot në kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë ishte një bekim i veçantë. Pasi Kisha “Zoja e Shkodrës” nuk është vetëm vend lutjeje, por edhe qendër identiteti ku ruhet gjuha, besimi dhe lidhja me atdheun.
Besimtarët u kthyen në shtëpi me bekimin e një njeriu që nuk e la Meshën as në errësirën e burgut. Për komunitetin shqiptar të New York-ut, kjo e diel mbetet një ditë falënderimi dhe uniteti.



