Bomba e Mërtirit: I dhashë 500 mijë € Endri Fugës me porosi

Mirel Mërtiri është dënuar në mungesë për inceneratorin e Elbasanit. Është i pandehur në dosjen e inceneratorit të Tiranës. Është raportuar prej vitesh si person në kërkim ndërkombëtar për historinë e madhe: një aferë që ka nisur me kontrata publike, ka kaluar përmes kompanive koncesionare, pagesave të dyshimta, faturave, udhëtimeve, vilave e lidhjeve politike dhe sot ka përfunduar në gjykatë.
Mërtiri duket se është në një moment kur ka vendosur të tregojë, me fatura dhe fakte, ku përfunduan milionat e euros së inceneratorit fantazmë të Tiranës. Kujtojmë se qytetarët e Tiranës, Durrësit, Kavajës dhe Shijakut paguajnë ende miliona euro në vit për inceneratorin që nuk ekziston. Askush nuk po kujtohet për bombën ekologjike në Sharrë. Mijëra tonë mbulohen me dheun që del nga gropat e kullave të Tiranës.
Një prej çështjeve që Mërtiri do të tregojë me emra dhe SMS është shuma prej 500 mijë eurosh që, me porosi të kryeministrit, ia dha Endri Fugës, drejtorit të komunikimit pranë Edi Ramës. Sipas burimit konfidencial të korrespondentit tonë në Vjenë, Mërtiri ka deklaruar për median e huaj austriake se i kanë kërkuar, në emër të Edi Ramës, t’i jepte Endri Fugës 500 mijë euro për fushatën.

Ku i çoi Fuga 500 mijë eurot? I përdori për fushatën e PS-së, te vila trekatëshe përballë Federatës Shqiptare? Bëri PR në media dhe televizione apo i mbajti për vete? Përveç Fugës, Mërtiri do të deklarojë edhe firmat fantazmë dhe emrat nga politika që ka paguar me këto para. Do të duhen disa ditë që materiali të jetë gati për transmetim.
Mërtiri duket se po bashkëpunon ngushtë me autoritetet austriake, nisur edhe nga statusi i tij dhe nga pyetja nëse do të deportohet në Shqipëri apo do të qëndrojë përfundimisht në Austri.
Afera e inceneratorëve nuk mund të lexohet vetëm si historia e Mirel Mërtirit në arrati. Ajo është një mekanizëm shumë më i gjerë. Në rrjet, sipas dosjeve dhe hetimeve, janë përfshirë ministra, ish-zyrtarë, administratorë kompanish, njerëz të afërt me pushtetin, ndërmjetës, firma private dhe përfitues të tjerë, që kanë marrë pjesën e tyre në një skemë të paguar me paratë e qytetarëve shqiptarë.
Prandaj, Mirel Mërtiri do të flasë sërish në media dhe do të tregojë çfarë di. Do të tregojë me emra kujt ia dha eurot e taksave tona.
Në fakt, dosja e inceneratorit të Tiranës është e paplotë, edhe pse është në gjykatë.
Duket se, pas rëndimit të pozitës së tij penale dhe pas viteve në arrati, ndërsa drejtësia shqiptare e kërkon, ai ka vendosur të thotë emrat dhe të tregojë porositë e atyre që morën pjesën e luanit nga 120 milionë eurot e djegësit fantazmë.
Nisur nga pozita e vështirë, Mërtiri duket se po bën përpjekjen e fundit për të rrëfyer të vërtetën, edhe pse kjo duket si vetëmbrojtje nga akuzat e SPAK-ut, i cili e konsideron përgjegjës për një nga aferat më të mëdha të korrupsionit në vend.
Historia e inceneratorëve nuk është më vetëm histori kontratash. Është histori e një bande politike, administrative dhe biznesi që, sipas akuzave të SPAK-ut, ka futur duart në qindra milionë euro para publike. Disa prej tyre janë në burg. Disa presin gjykimin. Disa janë në arrati. Dhe disa, sa herë u rëndohet pozita, shfaqen në studio televizive për të treguar se nuk janë ata problemi, por dikush tjetër.
Por shqiptarëve nuk u duhen më rrëfime mallëngjyese nga arratia. U duhen përgjigje.
Ku shkuan paratë? Kush i mori? Kush i mbrojti?
Kush i zëvendësoi pronarët e parë me përfitues të rinj?
Dhe pse njerëzit që SPAK-u i konsideron në qendër të aferës vijojnë të flasin nga jashtë, ndërsa miliona euro të buxhetit publik mbeten ende pa llogari të plotë?


