Bushati: A mundet që kjo shkundje që po sjell AI t’i ndihmojë universitetet ta gjejnë sërish vendin e tyre në jetën tonë?
Ditmir Bushati
Para pak ditësh isha në Madrid, në një konferencë të organizuar nga Universiteti i Harvardit dhe Fondacioni Ramón Areces, për rendin liberal në kohë të trazuara. Një temë që del nga auditoret e universiteteve dhe hyn drejt e në jetën që po jetojmë.
Universitetet kanë një jetë më të gjatë se shumica e institucioneve, qeverive dhe madje edhe shumë shteteve. Kanë njohur ngritje e rënie, por kanë mbijetuar falë asaj që i japin shoqërisë. Në themel të tyre ka qenë ideja se dija mund ta bëjë jetën më të mirë dhe t’i japë më shumë kuptim.
Sot inteligjenca artificiale vë në pikëpyetje vetë idenë që kemi pasur për universitetin. Kur u përhapën librat e shtypur dhe, shumë më vonë, interneti, pati nga ata që menduan se teknologjia do ta bënte arsimin të panevojshëm. Sot pyetja është si ta përdorim këtë fuqi të jashtëzakonshme në shërbim të jetës sonë. Që e ardhmja të mos jetë një buton, por një mendim, një ide.
Ndërkohë, në shumë vende të zhvilluara, arsimi po trajtohet gjithnjë e më shumë si një investim privat. Familjet shpenzojnë shuma të mëdha për shkollimin e fëmijëve, me shpresën se ai do t’u hapë rrugën për një karrierë dhe paga më të mira. Për ata që vijnë nga familje me mundësi të kufizuara, arsimi cilësor po bëhet një mollë e ndaluar. Kur shkollimi matet kryesisht me çmimin dhe pagën që pritet të sjellë, edhe studentin fillojmë ta shohim si klient. Në shumë vende të Europës, financimi publik ka ndihmuar që arsimi të mbetet i arritshëm për më shumë njerëz. Se çfarë do të ndryshojë inteligjenca artificiale në këtë ekuilibër, ende s’e dimë.
Universitetet kanë një punë që shkon përtej diplomës. T’u mësojnë studentëve të mendojnë me kokën e tyre, të kërkojnë vetë, të përballojnë vështirësitë dhe të zgjidhin probleme bashkë. Të marrin përgjegjësi për zgjedhjet e tyre dhe ta kuptojnë atë që mësojnë. Dhe, mbi të gjitha, të dinë të flasin e të dëgjojnë duke e parë ende njëri-tjetrin në sy.
A mundet që pikërisht kjo shkundje që po sjell inteligjenca artificiale t’i ndihmojë universitetet ta gjejnë sërish vendin e tyre në jetën tonë?
Si mendoni ju?


