Aktualitet

Dita e 84-të e protestës/ Marshimi drejt Kryeministrisë: Nuk shitet Shqipëria! Rama jepe dorëheqjen

Sot shënohet dita e 84-të e protestës kundër qeverisë së kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit, të mbledhur fillimisht në sheshin “Skënderbej”, rreth orës 19:30 u nisën drejt Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, në drejtim të Kryeministrisë.

Ata thërrasin: ‘Nuk shitet Shqipëri!’ ‘Ju erdhi fundi!’

 

Me pankarta dhe flamuj kuqezi në duar, qytetarët përsërisin thirrjet për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe qeveri teknike për të çuar vendin në zgjedhje të reja dhe anulimin e ‘paketës së maleve’ dhe ‘ligjit për zonat e mbrojtura’

Kërkesat e protestuesve

-Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe qeverisë.

-Krijimin e një qeverie teknike dhe tranzitore, jopartiake dhe me mandat 12-mujor.

-Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë përpara ligjit dhe miratimin me referendum popullor, duke përfshirë:

– ndryshimin e Kodit Zgjedhor;

-ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe organizatave të ndryshme;

– kufizimin e ushtrimit të detyrës së kryeministrit në jo më shumë se 2 mandate të plota ose të pjesshme gjatë gjithë jetës së një individi.

Nuk heqim dorë nga kërkesat fillestare:

-Anulimin e ndryshimeve të bëra për zonat e mbrojtura.

– Anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për trashëgiminë kulturore.

-Shfuqizimin e paketës ligjore të njohur si “Pakti i Maleve”.

– Shfuqizimin e statusit dhe kuadrit ligjor për investimet strategjike.

– Një kontratë e re sociale mes qytetarëve dhe shtetit, që do të përpilohet pas konsultimit me intelektualë, ekspertë teknikë dhe qytetarë apartiakë të propozuar nga sheshi i protestës.