Politikë

“Erjonin e njoh personalisht”, komentet nxjerrin zbuluar gënjeshtën e Tao Ballës

Politika shqiptare ofron shpesh momente ku kufiri mes empatisë institucionale e telenovelës digjitale fshihet brenda sekondave. Rasti më i fundit ka protagonist deputetin e PS-së dhe ish-ministrin e Brendshëm, Taulant Balla, i cili ka vendosur t’i tregojë publikut se e njeh “personalisht” Erjon Vishkullin, 28-vjeçarin e plagosur rëndë me plumb gome në syrin e majtë gjatë protestës së 24 tetorit, që tashmë ndodhet në Itali për një ndërhyrje të specializuar mjekësore.

Përmes një komenti sentimental në rrjetet sociale,Balla nuk u kursye në elozhe: zbuloi se Erjoni vjen nga një “familje e shkëlqyer fermerësh që prodhojnë vaj ulliri cilësor” dhe se është një “tifoz futbolli shumë mik” si te AF Elbasani, ashtu edhe te Tifozat Kuq e Zi. Me pak fjalë, sipas deputetit, mes tyre kishte një respekt pothuajse idilik.

Natyrisht, në këtë dashuri njëanshme kishte vetëm një problem të vogël teknologjik: vetë Erjon Vishkulli!

Mjafton një kërkim i thjeshtë në profilin e të riut për të kuptuar se sa “mik” e konsideronte ai deputetin e mazhorancës. Përpara se plumbi i gomës t’i rrezikonte shikimin 30 metra larg kordonit të policisë, komentet e Erjonit në rrjetet sociale ndaj Taulant Ballës nuk karakterizoheshin aspak nga diplomacia, por nga një gjuhë mjaft e ashpër.

Ndërsa Balla numëron atributet e partisë dhe tregon se si mjekët e huaj do të konsultohen me kolegët shqiptarë për operacionin në spitalin “San Carlo” të Romës, realiteti mbetet i hidhur. Erjon Vishkulli u godit ndërsa qëndronte pa asnjë reagim agresiv, dhe plumbi i gomës mbeti brenda në syrin e tij.