Aktualitet

Fluks dhe pritje nën temperatura të larta, trafiku kthehet në makth për pushuesit në Durrës

Mijëra pushues që i drejtohen Durrësit në kulmin e sezonit turistik kanë sjellë edhe një fluks të shtuar automjetesh, duke rënduar qarkullimin në qytet dhe në rrugët që të çojnë drejt zonave të plazhit.

Kolonat krijohen kryesisht në oraret e pikut, kur lëvizja në disa prej akseve kryesore ngadalësohet dhe koha e pritjes për drejtuesit e mjeteve dhe pushuesit zgjatet.

Trafiku i rënduar po shoqërohet edhe me problematika të tjera. Numri i lartë i automjeteve ndikon në shtimin e ndotjes së ajrit dhe asaj akustike, duke krijuar shqetësim për banorët dhe vizitorët.

Një tjetër vështirësi janë temperaturat e larta, të cilat, të kombinuara me pritjet në kolona, mund të shtojnë tensionin në rrugë. Policia u bën apel drejtuesve të automjeteve që të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes dhe të ruajnë qetësinë.

Përballimi i fluksit të sezonit dhe shmangia e bllokimeve mbeten sfidë për Policinë Rrugore. Për të menaxhuar më mirë situatën, në Durrës janë angazhuar edhe forca të shtuara nga Tirana.

Në këto kushte, trafiku mbetet një nga shqetësimet kryesore të përditshmërisë në Durrës gjatë sezonit turistik. Për qytetarët dhe pushuesit, udhëtimi drejt plazheve kërkon më shumë kohë, ndërsa kolonat dhe temperaturat e larta e bëjnë lëvizjen edhe më të vështirë.