Ilse Aigner drejt presidencës gjermane, Merz dhe konservatorët arrijnë marrëveshjen për kandidaturën historike
Gjermania është një hap më pranë zgjedhjes së presidentes së parë grua në historinë e saj. Partitë konservatore CDU dhe CSU kanë rënë dakord të mbështesin politikanen bavareze Ilse Aigner për postin e presidentes federale, duke i hapur rrugën një ndryshimi historik në krye të shtetit gjerman.
Sipas raportimeve të mediave gjermane, kancelari Friedrich Merz ka dhënë mbështetjen për kandidaturën e Aigner, pas disa javësh diskutimesh dhe negociatash brenda kampit konservator.
Vendimi pritet të formalizohet të hënën, më 9 nëntor, gjatë mbledhjes së strukturave drejtuese të CDU-së.
Kompromisi mes Merz dhe Söder
Kandidatura e Ilse Aigner ishte mbështetur prej kohësh nga kreu i CSU-së, Markus Söder. Megjithatë, Merz kishte hezituar të angazhohej publikisht për emrin e saj, duke shqyrtuar edhe mundësi të tjera brenda partisë.
Marrëveshja e fundit konsiderohet një dakordësi mes dy forcave konservatore, të cilat tradicionalisht bashkëpunojnë në politikën federale gjermane.
Edhe Partia Socialdemokrate (SPD) ka sinjalizuar mbështetje për Aigner. Kreu i saj, Lars Klingbeil, e ka vlerësuar kandidaten si një figurë që mund të bashkojë përfaqësues të kampeve të ndryshme politike.
Kush është Ilse Aigner?
Ilse Aigner është 61 vjeçe dhe aktualisht drejton Parlamentin e Bavarisë, detyrë që e mban që prej vitit 2018.
Ajo ka qenë ministre federale e Bujqësisë në qeverinë e Angela Merkelit dhe ka një karrierë të gjatë politike, si në nivel rajonal, ashtu edhe në atë kombëtar.
Nëse zgjidhet, Aigner do të pasojë Frank-Walter Steinmeier, i cili përfundon mandatin e tij të dytë në vitin 2027.
Votimi më 30 janar 2027
Zgjedhja e presidentit të ri federal është parashikuar të zhvillohet më 30 janar 2027, përmes Asamblesë Federale, e cila përbëhet nga deputetët e Bundestagut dhe përfaqësues të landeve gjermane.
Presidenti federal ka një rol kryesisht përfaqësues dhe kushtetues, por konsiderohet një figurë e rëndësishme për unitetin dhe përfaqësimin e shtetit.
Nëse merr votat e nevojshme, Ilse Aigner do të bëhet gruaja e parë presidente e Gjermanisë që nga themelimi i Republikës Federale në vitin 1949.
Për momentin, kandidatura e saj pritet të marrë miratimin formal të partive konservatore, ndërsa votimi përfundimtar do të zhvillohet në janar.


