Ish-ministri Sandër Lleshaj mbështet protestat, mesazh Ramës për dorëheqje: Koha është pjekur!
Ish-ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar dhe e konsideron valën e protestave si një zhvillim të rëndësishëm demokratik për vendin. Lleshaj kritikon ashpër klasën politike dhe mënyrën se si është ndërtuar përfaqësimi në Shqipëri. Në këtë intervistë për gazetën “Panorama”, ish-ministri socialist i dërgon një mesazh të drejtëpërdrejtë Edi Ramës duke theksuar se dorëheqja nuk është dramë, por një vendim që merret kur “koha është pjekur”.
Lleshaj ngre pikëpyetje të forta mbi funksionimin e institucioneve, rolin e partive politike dhe marrëdhënien mes qytetarëve dhe pushtetit. Ai apelon për një ndryshim rrënjësor të sistemit, duke kërkuar një ligj të ri për partitë politike. Lleshaj shprehet kritik ndaj modelit aktual të qeverisjes dhe bën thirrje për rishikim të mënyrës se si funksionon demokracia shqiptare. Sa i përket çështjes “Balluku”, Sandër Lleshaj përcjell mesazhin e fortë për SPAK se Drejtësia nuk ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt…
Z.Lleshaj! Si e vlerësoni valën e protestave qytetare me kërkesën për dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama? Çfarë i zgjoi shqiptarët këtë herë?
Protestat kanë sjellë një dinamikë të re dhe të nevojshme në jetën e vendit, pas një periudhe relativisht të gjatë letargjie politike dhe shoqërore. Jehona e gjerë ndërkombëtare është shprehje e magnitudës së tyre. Ndryshe nga bota demokratike, Shqipëria e këtyre viteve paradoksalisht ka parë protesta të partive parlamentare në rrugë dhe rol krejt periferik të tyre në Kuvend. Në fakt parlamenti është forumi i partive politike dhe rruga u takon qytetarëve që nuk ndihen të përfaqësuar në Kuvend. Kësaj radhe po përjetojmë një zhvillim normal. Qytetarët janë në rrugë, ku tashmë duket se nuk ka vend për politikanët që paguhen nga taksat e qytetarëve. Ndërsa këta të fundit, politikanët, nuk dihet më se ku janë.
A mund të përshkallëzojë situatën, mosadresimi i kërkesave të protestuesve?
Politikanët duhet të mbajnë shënim mirë edhe nga protesta e një qytetari të vetëm. Politika duhet që të demonstrojë respekt përballë qytetarëve që e paguajnë. Dhe respekt do të thotë dëgjim pa komente. Përpjekja për të delegjitimuar ata që protestojnë, duke i kërkuar arsyet apo motive e protestës përtej qytetarëve është anakronike. Në fund të fundit qeveria mbetet përgjegjëse edhe për mbrojtjen e vetë protestës së qytetarëve të saj. Ajo është përgjegjëse edhe për mbrojtjen e protestës nga ndikimet apo infiltrimet e huaja, për të cilat ka pasur shumë aludime të paprovuara. Edhe për protestat dhe ngjarjet tragjike të vitit 1997 qeveria e kohës lante duart me një lehtësi të papërgjegjshme duke drejtuar gishtin e akuzës tek shërbimet e huaja, a thua se nuk ishte ajo përgjegjëse për të mbrojtur vendin prej tyre. Në rastin aktual mbetet vetëm një rrugë: protestat duhen dëgjuar, kuptuar dhe mirëkuptuar.
A mendoni se Edi Rama duhet të japë dorëheqjen për t’i hapur rrugë një zgjidhjeje politike?
Sikur të kisha komunikim me Kryeministrin dhe vullnetin e tij për një këshillë, mbase do t’ia kisha dhënë, por koha e ka sjellë edhe shuarjen e këtij komunikimi. Ndaj, në këto kushte, mendoj se mua më takon vetëm heshtja etike dhe profesionale që lidhet me marrëdhënien e dikurshme politike me Kryeministrin. Personalisht mendoj se dorëheqja nuk është ndonjë dramë, por një lloj bekimi që njeriu përjeton në momentin kur koha është pjekur për të. Unë vetë e kam përjetuar këtë bekim në vitin 2020, kur hoqa dorë nga posti i ministrit të Brendshëm për arsye se njëri ndër mijëra punonjësit e policisë bëri një krim në mesnatë gjatë shërbimit të tij në patrullë. Dhe çdo ditë që ka kaluar që atëherë vetëm sa më ka shtuar bindjen se ai vendim ishte edhe një bekim.
Si ish-ministër i Brendshëm, si e shihni sot mënyrën se si shteti menaxhon protestat e gjera qytetare , ku nuk ka munguar as dhuna mbi protestuesit?
Dikur, gjatë një interviste u pyeta së çfarë do të bëjë policia nëse populli do të sulmojë qendrat e votimit në ditën e zgjedhjeve. Përgjigja ime ishte se policia nuk do të bëjë asgjë në një situatë të tillë, për arsye se ajo nuk ka për mision të pengojë popullin për të plotësuar vullnetin e tij, cilido qoftë ai. Kjo është përgjigja ime edhe sot. Detyra e policisë është garantimi i mbarëvajtes së protestave. Në të njëjtën kohë, ajo ka për detyrë që të përballet përherë më krimin dhe shkeljen e ligjit, gjithmonë bazuar në parimin e proporcialitetit dhe të vetëpërmbajtjes.
Unë e kam formuluar këtë parim si parimi 110. Kjo do të thotë që policia reagon 1 hap në kohë më vonë ndaj veprimeve të dhunshme, 1 nivel në forcë më poshtë nga ajo me të cilën përballet dhe se bilanci i angazhimit policor duhet të ketë 0 viktima. Kaq e thjeshtë është kjo strategji: 110. Policia është e qytetarëve përpara se të jetë e shtetit. Më vjen keq që nuk pata kohë të konkretizoja një iniciativë që kisha dikur edhe për ndryshimin e emrit të saj nga “Policia e Shtetit” në “Policia Shqiptare”. Një polici, historikisht vetëm e shtetit, duhet të marrë përditë e më tepër trajtën e një policie të qytetarëve.
Protestuesit kërkojnë ndryshimin e sistemit, largimin e klasës së vjetër politike dhe një Shqipëri të re e cila duhet të drejtohet nga të rinjtë…
Protestat kanë evidentuar një problem themelor të Shqipërisë që është ezaurimi total i klasës politike të trashëguar nga Partia e Punës së Shqipërisë në trajtën e partive bija që ajo krijoi në muzgun e jetës së saj. Në të vërtetë sot ky është problem i parë dhe i fundit me të cilin duhet të merret Shqipëria. Por në vend që të përqëndrohej në këtë çështje, protesta është zgjeruar në tematikë dhe në propozime që arrijnë deri në nivelin e kakofonisë. Përpara ligjit për investimet strategjike, për zonat e mbrojtura, për zgjedhjet e shumë të tjera si këto, Shqipëria ka nevojë të ndryshojë sistemin politik që i ka sjellë gjithë anomalitë e këtyre dekadave.
Protesta duket se po ndjek paralelisht shumë qëllime dhe dihet se çfarë arrin ai që qëllon me një gur kundër dy zogjëve. Sipas legjislaciont të krijuar përgjatë tri dekadave, Shqipëria është de jure dhe de facto peng i partive politike, apo edhe më keq: peng i kryetarëve që kanë të drejtë me ligj të përcaktojnë personalisht listat e kandidatëve për të cilët duhet të votojë më kot populli shqiptar. Kjo gjë ka sjellë realitetin e trishtë që Kuvendi i Shqipërisë të mbushet me persona të emëruar nga kryetarët e partive parlamentare. Kjo gjendje është më shumë se alarmante. Pa u mbrojtur parlamenti si tempull i demokracisë nuk mund të mbrohet asgjë, as lagunat si “tempull” i flamingove, as pasuritë natyrore, as pronat publike.
Nëse protesta do të mund të sillte ndonjë dobi të vërtetë publike, ky do të ishte kontributi për të imponuar një ligj të ri për partitë politike, me qëllim që atyre t’u hiqet ekskluziviteti i përfaqësimit si dhe t’u përcaktohen standardet ligjore për zgjedhjen demokratike të kryetarëve të tyre, të forumeve, si dhe mbi të gjitha, të të gjithë kandidatëve që këto parti paraqesin në zgjedhje, ashtu si në Europën që synojmë. Për sa kohë që qytetarët shqiptarë nuk ushtrojnë të drejtën e tyre kushtetuese për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, pa qënë të varur për këtë nga vullneti i kryetarëve të partive politike, demokracia në Shqipëri do të vijojë të jetë thjesht një term propagande. Ndërsa sa i përket “pushtetit të të rinjëve” do të thoja se kjo është një klishe që, aq sa e bukur tingëllon, aq e rrezikshme është. Është njësoj si ajo klisheja për gratë e pakorruptueshme.
Është e padiskutueshme që të rinjtë kanë të drejtë dhe detyrë të marrin pjesë dhe të ushtrojnë përgjegjësi për ndërtimin e të ardhmes së vendit që është e ardhmja e tyre. Por në këtë çështje nuk mund të legjitimohet asnjë lloj diskriminimi moshor. Këtu nuk shtrohet çështja e largimit të të vjetërve për të ardhur të rinjtë. Në punët e shtetit dhe ato private njerëzit angazhohen në përputhje me kapacitetet dhe aftësitë e tyre. Dituria dhe eksperienca e “të vjetërve” nuk mund të përjashtohen për t’i hapur rrugë thjesht e vetëm energjisë së “të rinjve”. Këto cilësi duhet të kombinohen për të synuar më të mirën. Prapa sloganeve për promovimin e të “rinjvë” dhe të “grave”, përgjon përherë kurthi i keqpërdorimit të tyre, në ato raste kur pikërisht mungesa e kualifikimit dhe e përvojës kthehet në pikën e dobët prej nga fillon dështimi dhe korrupsioni.
A thua ende nuk po e kuptojmë se eksperimentet tona në këtë fushë na kanë bërë me turp në tryezat ndërkombëtare, kur jo në pak raste, zyrtarë të rinj, maksimalisht të kuruar në dukje, por pa kurrëfarë dije dhe eksperiencë kanë lënë nam të paskaj përballë zyrtarëve ndërkombëtarë të regjur me punët e shtetit? A thua ende nuk e kemi kuptuar se në dështimet e shumta të këtyre dekadave është edhe vula e shumë të rinjëve që u promovuan vetëm si të tillë dhe dështuan pikërisht prej kësaj. A vërtet nuk e dijmë se Shqipëria ka në parlament dhe në të gjitha zyrat e shtetit jashtzakonisht shumë të rinj, krahasuar me vendet e tjera, por as kjo gjë nuk e ka ndihmuar. Të rinjve u duhet krijuar çdo hapësirë dhe mundësi që të shpalosin talentin dhe energjinë e tyre. Por katapultimi i tyre në poste që normalisht u përkasin atyre që kanë eksperiencë është i dëmshëm për të gjithë. Mbase do të ishte mirë të kuptonim domethënien e termit “senior” në anglisht, term i cili përdoret për të definuar shumë poste të larta në ekonomi, në administratë dhe në politikë.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu krijimin e një qeverie teknike me mandat njëvjeçar. Si e vlerësoni këtë propozim?
Kjo është një ndër ato gjërat që thellojnë edhe më shumë kakofoninë e protestës që përmenda pak më sipër. Qeveria teknike do të ishte vetëm një kohë e humbur dhe mënyra më e mirë për të finalizuar pa kuptim vetë protestën. Vendi ka nevojë për ndryshimin rrënjësor politik, të cilin fola më lart: një ligj të ri për partitë politike. Pa u bërë kjo, një qeveri teknike vetëm sa do të na krijonte kushtet që kryetarët e partive të katapultonin në parlamentin e ri kamikazët e radhës, për të krijuar një kopje të re të këtij që kemi. Shqipëria nuk ka nevojë për një cikël tjetër politik me aktorë të tjerë, por për ndryshimin thelbësor të sistemit që krijon parlamentin e saj.
Një tjetër kërkesë e protestuesve lidhet me heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut dhe arrestimin e saj. Pse sipas jush nuk po vepron Drejtësia ndaj ishzv.kryeministres dhe a është bindës qëndrimi se nuk po e dorëzon PS?
Drejtësia nuk ka përse të jetë e varur nga vullneti i dikujt për të dorëzuar apo t’u dorëzuar. Për sa kohë që dorëzimi apo vetëdorëzimi janë parakushte që drejtësia të funksionojë, duket se ajo do të mungojë.
A mendoni se SPAK-u po vepron me të njëjtin standard ndaj të gjithë zyrtarëve të lartë? Çfarë mesazhi do të jepte hetimi i çdo zyrtari për të cilin ka prova ose indicie të mjaftueshme?
Unë mendoj se pritshmëria publike ndaj SPAK ka marrë trajtën e një naiviteti dhe iluzioni gjigand. SPAK ka detyrë që të vërë përpara drejtësisë persona që shkelin ligjin, por ne kurrë nuk mund të pretendojmë apo të presim që kjo strukturë të zgjidhë problemet themelore që kanë të bëjnë me mungesën e legjitimietit demokratik të organeve më të larta se sa vetë SPAK-u. SPAK nuk do të mundet kurrë që t’i japë as legjitimet dhe as kredibilitet një parlamenti të diskredituar, prej të cilit burojnë në rastin më të mira anekdota dhe historitë më qesharake të vendit dhe në rastin më të keq ligje që shkatërrojnë interesin publik. Pa një parlament dinjtoz që zgjidhet nga shqiptarët dhe jo nga kryetarët, jo një SPAK, por edhe njëmijë të tjerë të krijohen gjërat do të vazhdojnë të ndjekin këtë ecuri.


